Ndërlidhjet

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka filluar një draft fillestar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Punës, Ligj ky që ka filluar të zbatohet nga fillimi i vitit 2011, thotë Berat Luzha, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas propozimit të ministrisë, në këtë Ligj parashihet të ndryshohet edhe neni 49- pushimi i lehonisë, që parashikohet të shkurtohet në nëntë muaj nga 12 sa është më ligjin aktual.

Luzha, tregon se në bazë të draftit fillestar ndryshohet edhe mënyra e pagesës se lehonave nga punëdhënësi dhe ekzekutivi.

Propozimi është që punëdhënësi të paguajë dy muajt e parë, në shumën 80 për qind të pagës bazë, kurse qeveria do të paguajë katër muajit vijues më 50 për qind të pagës mesatare të vitit paraprak. Kurse tre muajt e fundit, parashihet që të jenë pa pagesë. Por ky është vetëm një propozim, pasi ende nuk është projektligj”, thotë Luzha.

Sipas Ligjit aktual, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70% të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Kërkesa për ndryshim të disa neneve të Ligjit të Punës ka ardhur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv në këtë asociacion, Arian Zeka, thotë se kërkesa është paraqitur pas hulumtimit se neni 49, i Ligjit të punës inkurajon diskriminim ndaj femrave në fazën e punësimit.

Ai pohon se ekzistojnë fakte se ka rënie drastike të femrave të punësuara në sektorin privat, ndërkaq në disa raste punëdhënësit lidhin kontrata afat- shkurtër më punëtorët femra, vetëm për shkak të zbatimit të ligjit të punës.

Më aplikimin e ligjit ekzistues në bazë të shifrave që kemi marrë nga ana e Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, në sektorin privat ka pasur një reduktim drastik të punësimit të femrave, që nga viti 2011 kur ka hyrë në fuqi ky ligj”.

Këtë çështje ne e kishim paralajmëruar, para se te hy në fuqi, kemi thënë se do të shohim një diskriminim indirekt të femrave dhe kemi pasur prononcime të hapura nga ana e bizneseve. Ata tash kanë filluar të aplikojnë kontrata afat shkurtra më femrat, që është jashtëzakonisht e keqe dhe është diçka që nuk dëshirojnë që të vazhdoi edhe më tutje”, shprehet Zeka.

Edhe zëvendësministri Berat Luzha, thekson se ka indikacione se femrat që dëshirojnë të punësohen në sektorin privat ballafaqohen më këtë probleme dhe kjo është arsye, sipas tij, që të bëhen ndryshime dhe plotësime në Ligjin e Punës, konkretisht në nenin që i përket pushimit të lehonisë.

“Ka indikacione dhe për atë është ky propozim që të zvogëlohet pushimi i lehonisë, për shkak se bizneset privat ngurrojnë që të punësojnë femrat të cilat pastaj i kushtojnë më pagesë të pushimit të lehonisë më një pushim të stërzgjatur dhe më detyrime që ata i kanë ndaj femrave në pushim të lehonisë”, thekson Luzha.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se nëse shkurtohet pushimi i lehonisë, duhet të sigurohet infrastruktura mbështetëse, siç janë kopshtet.

Në të kundërtën, ky Ligj do t’i vë gratë në pozitë të palakmueshme, pasi duhet të zgjedhin punën apo familjen.

Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, nuk është e kënaqur me ndryshimet eventuale që mund të bëhen në pagesën e lehonave.

Më amandamentimet e reja, merret mesatarja 50 e pagës mesatare në Kosovë, që i bie mbi 100 euro në muaj të marrin për gjashtë muaj dhe 70 për qindëshi i punëdhënësit e gëzojnë vetëm për dy muaj. Në këtë mënyrë ato absolutisht nuk mbështetën që të zgjedhin punën por që do të zgjedhin familjen”, thotë Vuniqi.

Ndryshimet në Ligjin e punës, sa i përket pushimit të lehonisë, thotë Vuniqi, nuk do të stimulojnë punësimin e grave por do të zvogëlojnë edhe më tepër punësimin e tyre në sektorin privat.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG