Ndërlidhjet

Paris: Autoritetet druajnë për më shumë viktima nga tragjedia hekurudhore

  • RFE /RL

Kompania kombëtare franceze e hekurudhave (SNCF) njoftoi të shtunën se përplasja e trenit në Paris, ka gjasa të jetë shkaktuar nga një defekt në binarë.

Një zyrtar i kompanisë Pierre Izard, i tha gazetarëve se hetuesit kanë zbuluar që një shufër e hekurit që lidhte binarët ishte shkëputur.

Izard tha se kjo lidhëse “ishte thyer, dhe si rrjedhojë ishte shkëputur, dhe ka dal jashtë funksionit të saj”.

Shefi i kompanisë franceze SNCF Guillaume Pepy tha se ka urdhëruar urgjentisht kontrollimin e 5,000 pjesëve të tilla që gjenden në rrjetin hekurudhor.

Të shtunën paradite, ministri francez i transportit Frederic Cuvillier ka hedh poshtë mundësinë që “gabimi njerëzor” të ketë shkaktuar këtë tragjedi që ngjau të premten mbrëma, e cila la të vdekur 6 persona

Ai madje ka uruar mekanistin e trenit, i cili sipas tij “ka pasur reflekse të jashtëzakonshme, pasi ka alarmuar për aksidentin”, duke parandaluar një katastrofë edhe më të madhe, pasi në pak minuta pritej të vinte një tren tjetër.

Në momentin e përplasjes treni ishte duke udhëtuar me një shpejtësi prej 137 km/h – që është nën shpejtësinë e lejuar prej 150 km/h.

Rreth 30 udhëtarë të tjerë janë lënduar po ashtu në këtë incident, prej të cilëve 8 janë në gjendje të rëndë.

Kryebashkiaku i Bretigny-sur-Orge, Michel Fuzeau tha të shtunën se pret që numri i viktimave të rritet.

Numri i viktimave është i përkohshëm, pasi po presim të arrijë një kran i fuqishëm, për të ngritur trenin”, tha Fuzeau.

Treni i shpejtësisë së lartë kishte në bord 385 udhëtarë, kur doli nga binarët në qytezën Bretigny-sur-Orge të premten mbrëma, rreth 20 kilometra larg nga Parisi.

Sandrine Abraham, që ishte dëshmitare e kësaj ngjarjeje, përshkruan se si ndodhi incidenti.

"Më kishte mbërthyer paniku, madje ndihesha si e paralizuar. Fatmirësisht, ekipet e shpëtimit më qetësuan, pas gjithë asaj që pash. Nuk mendoj se vetëm shtatë kanë vdekur, besoj se ka shumë më shumë. Sepse ne i pamë të gjithë ata njerëz që – më falni (v.j. nis të qaj). Isha vërtetë e traumatizuar dje, me gjithë atë që pash në ato rrënoja”, rrëfente zonja Abraham.

Ky aksident në të cilin treni është përplasur në platformën e një stacioni, përshkruhet si incidenti më i rëndë hekurudhor në Francë në 25 vitet e fundit.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG