Ndërlidhjet

FSK mes Ushtrisë dhe Mbrojtjes Civile


Deri në fund të këtij viti, mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të rishikohet edhe një herë, kanë paralajmëruar zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës përgjegjëse për këtë forcë.

Në takimin që ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka pasur të hënën me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff, është vlerësuar se deklarimi i kapaciteteve të plota operacionale për FSK nga ana e NATO-s është arritje e madhe dhe suksesi më i madh që FSK ka arritur deri më tash.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Cliff, ka theksuar se vendi i tij e mbështet procesin e ngritjes së FSK-së.

“Kam ardhur t'i uroj ministrin Cceku dhe gjeneralin Kastrati për arritjen e kapaciteteve të plotë të FSK-së. Të gjithë jemi marrë me vendimin e BE-së për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, pot nuk duhet ta harrojmë dimensionin e raporteve me NATO-n. Britania e Madhe e mbështet procesin e ngritjes së FSK-së dhe do të dëshironin që këto kapacitete të arriheshin edhe më herët”, ka theksuar ambasadori Cliff.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka theksuar se procesi i rishikimit strategjik të FSK-së është në vazhdim e sipër dhe se ky proces është i thellë, kërkon kohë dhe punë të madhe.

Ministri Çeku ka thënë se ministria që ai drejton është duke i identifikuar nevojat dhe mundësitë reale të sigurisë së Republikës së Kosovës, në partneritet të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Ky proces pritet të përfundojë kah fundi i vitit dhe ne menjëherë do të dalim me rekomandime. Do t’i rekomandojmë qeverisë, partnerëve tanë, NATO-s, se çka ne mendojmë se duhet të ketë Kosova, në aspektin për të qenë e sigurt edhe qytetarët, por edhe Kosova si shtet, si dhe për të qenë në gjendje për të kontribuar në ruajtjen dhe ndërtimin e paqes kudo në botë”.

Por, ambasadori Cliff është rezervuar të përgjigjet drejtpërdrejtë në lidhje me të ardhmen e FSK-së dhe pretendimeve të institucioneve të Kosovës që ajo të shndërrohet në ushtri të Kosovës.

Ai ka theksuar se tashmë ekziston vlerësimi i NATO-s se kapacitetet e FSK-së janë rritur shumë. Sipas tij, FSK pritet që të përparoj edhe më tepër. Por, megjithatë, ai ka theksuar se nuk është ai që e komentoj çështjen se a do të jetë FSK ushtri apo jo.

“Unë jam një ambasadori dhe nuk jam ushtarak. Kështu që unë nuk jam ai që mund ta them se a mundet apo jo FSK në këtë fazë të shndërrohet në armatë. Duhet të pyesni ekspertët, andaj them të presim vlerësimet e ardhshme të sektorit të sigurisë”, ka thënë Cliff.

Por, ministri Çeku ka theksuar se procesi nëpër të cilin po kalon FSK është në drejtimin e duhur, me dinamikën e duhur dhe se nuk ka vend për shqetësime dhe brenga.

Sipas tij, në rrugëtimin e FSK drejt asaj që të bëhet ushtri, nuk ka sprapsje.

Nuk është sprapsje. Jemi në punë. Jemi duke punuar intensivisht, me partnerët tanë ndërkombëtarë. Javën e ardhshme na vjen ekipi nga Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dy javë do të qëndrojnë me ne. Do të thotë, është një punë që po bëhet, kisha për të thënë, paksa më shumë në heshtje".

"Ne edhe e kemi zgjedhur, e kemi përcaktuar një strategji të kësaj pune dhe e kam thënë disa herë se ne deri te qëllimi jonë do të vijmë gradualisht duke ndryshuar perceptimet, gradualisht duke i rrënuar disa barrikada të vjetra, si dhe në heshtje duke punuar dhe duke ndërtuar strukturat. Dhe këtë jemi duke e bërë”, ka thënë Cceku.

Ndryshe, në fillim të këtij viti, ministri Çeku kishte deklaruar se viti 2013 do të jetë viti i ushtrisë së Kosovës.

Por, edhe pas vlerësimin të Këshillit të NATO-s, se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja, misioni i FSK nuk ka ndryshuar.

Ky mision vazhdon të jetë: ndërmarrja e operacioneve të mbrojtjes civile dhe mbështetja e autoriteteve civile në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencave të tjera.
XS
SM
MD
LG