Ndërlidhjet

FT: Britania të ngrihet mbi paratë dhe fuqinë ruse


Edward Snowden duket sikur një djalë i kthjellët. Pra, ai me gjasë duket se e ka vërejtur ironinë e theksimit të ankesave të tij për persekutim nga sistemi juridik i Shteteve të Bashkuara, nga kufijtë e aeroportit të Moskës, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Financial Times dhe vazhdon se ekzistojnë pak qeveri në botë, që e abuzojnë drejtësinë, për qëllime politike, me mizorinë dhe cinizmin e Rusisë së Vlladimir Putinit.

Ironitë nuk ndalen këtu. Motivimi fillestar i zotit Snowden, si informator, ishte t’i zbuloj spiunët e fuqishëm amerikanë. Por, Rusia është ende shtet që në mënyrë efektive udhëhiqet nga shërbimet e saj të inteligjencës. Zoti Putin është ish-operativist i KGB-së. Spiunët dhe miqtë e tyre i dominojnë qarqet e tyre të brendshme, shkruan Financial Times.

Por, me të vërtetë Rusia – që u shndërrua në mbrojtës të përkohshëm të zotit Snowden - është ilustrim perfekt i argumentit të tij se shteti i nënshtruar nga shërbimet e tij të inteligjencës do të ishte vend frikësues.

Gjatë dy javëve të kaluara, tri raste të ndryshme e kanë theksuar mospërfilljen e e rrezikshme të këtij vendi ndaj drejtësisë.

Në secilin rast, viktima ishin rusët ose ish-shtetas rusë, por implikimet janë globale, shkruan gazeta londineze, Financial Times, duke përmendur se javën e kaluar, një gjykatë gjeti se Sergei Magnitsky ishte fajtor për mashtrim në mungesë.

Në fakt, Magnitsky nuk ishte vetëm në mungesë, ai është i vdekur, i rrahur për vdekje në vitin 2009, derisa ishte në burg të policisë ruse.

“Krimi” i tij real ishte se e ka gjurmuar korrupsionin me shumë energji dhe pastaj, pas vdekjes së tij, është shndërruar në rast të njohur në përmasa ndërkombëtare.

Mëtutje, Financial Times shkruan se legjislacioni amerikan “Magnitsky” ua ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve të implikuar në vrasjen e tij.

Ky akt aq shumë i ka zemëruar dhe alarmuar rusët, sa që ata e kanë konsideruar të domosdoshme “të dëshmojnë” se Magnitsky ishte kriminel, duke mbajtur proces gjyqësor të njeriut të vdekur, shkruan Financial Times.

Alexei Navalny, me gjasë, do të jetë viktima e ardhshme e sistemit rus të drejtësisë. Prej protestave në Moskë në vitin 2011 dhe 2012, ai është paraqitur si lideri më karizmatik i opozitës ndaj putinizmit. Mendjemprehtë, i guximshëm, me dituri interneti, dhe me dell populist dhe nacionalist, zoti Navalny paraqet rrezik të qartë politik për putinizmin. Autoritetet e Rusisë hapur e kanë pranuar se ekzistojnë motive politike prapa procesit gjyqësor kundër tij, me akuza që tingëllojnë si qesharake për përvetësim. Mund të ndodhë që gjatë kësaj jave ai të dënohet, dhe me gjasë do të burgoset, duke iu bashkuar të burgosurve të tjerë, aktiviteti politik i të cilëve e ka irrituar zotin Putin.

Rasti i tretë i kequdhëheqjes së drejtësisë ka ndodhur javën e kaluar, kur në Londër u shpall, se qeveria e Britanisë ka refuzuar mbajtjen e hetimeve publike lidhur me vdekjen e Alexander Litvinenkos, i cili ishte helmuar në Londër në vitin 2006. Britania është përpjekur për shumë vite ta siguroj ekstradimin e personit Andrei Lugovoi, i dyshuar për vrasjen e Litvinenkos, i cili tash është anëtar i parlamentit në Moskë.

Ka pasur dëbime të ndërsjella të diplomatëve rusë dhe britanikë, shkruan Financial Times.

Por, duket se tash Britania e ka humbur interesimin komplet për rastin Litvinenko dhe për acarimin që është krijuar lidhur me raportet me Rusinë.

Më herët këtë vit, mjekoligjori britanik, i angazhuar për një hetim për vdekjen e Litvinenkos, ka shpallur se ai nuk do të jetë në gjendje ta kryejë punën në mënyrë përkatëse pasi atij nuk i është lejuar dëgjimi në mënyrë publike i dëshmive të ndjeshme, të cilat e dëmtojnë sigurinë kombëtare, shkruan Financial Times.

Shkaku i bllokimit të hetimit përkatës të vrasjes së Litvinenkos, duket se është qartazi i natyrës real politike. Rusia është një shtet i rëndësishëm. Britanisë i duhet bashkëpunimi në një varg të çështjeve, prej tërheqjes së trupave britanike nga Afganistani në vitin 2014, pastaj lufta në Siri dhe fusha e kundër-terrorizmit dhe tregtia.

Kompanitë britanike kanë investime të mëdha në Rusi. Ekzistojnë edhe shkaqe të tjera më të vogla, që kanë të bëjnë me luftën e paqartë ndërmjet shërbimeve të inteligjencës ruse dhe britanike. Në kohën e vdekjes së tij, Litvinenko kishte punuar për inteligjencën britanike. Qeveria e Britanisë mendon se zbulimi i operacioneve të veta të inteligjencës do të ishte fitimprurëse për Rusinë.

Këto argumente duhet të merren seriozisht. Puna e parë e qeverisë britanike është që t’i mbrojë jetët dhe interesat e shtetasve të saj. Ndonjëherë pragmatizmi mund të jetë letër donkishoteskte e mbrojtjes së parimit.

Tash, duke mos lejuar hetim përkatës për Litvinenkon, qeveria britanike po i nënçmon letrat që i ka në dorë për të luajtur.

Londra është shtëpia e dytë për shumë pjesëtarë të elitës ruse. Ashtu siç ilustrohet ankthi i tyre lidhur me legjislacionin Magnitsky, ata tash vlerësojnë se mund të kenë qasje të papenguar te të gjitha avantazhet e jetës së tyre në perëndim, nga shkollat e mira e deri te gjykatat e pavarura.

Britania nuk e ka kaluar legjislacionin Magnitsky, por thotë se nuk do të lejoj viza për 60 zyrtarë në listën Magnitsky.

Rasti Magnitsky ende involvon vrasjen që ndodhi në Rusi. Me siguri se aksion edhe më i ashpër do të mund të arsyetohej pas vrasjes që ishte kryer në Londër, shkruan Financial Times.

Duke u zmbrapsur nga hetimi Litvinenko, britanikët, poa shtu, po e marrin një qëndrim më të ulët të interesave kombëtare të tyre. Njëra nga pasuritë më të mëdha britanike është reputacioni i saj për sundim të ligjit. Çdo herë kur oligarkët rusë vendosin ta padisin njëri-tjetrin në gjykatat londineze, ata e nderojnë reputacionin e Mbretërisë së Bashkuara për drejtësi të drejtpërdrejtë.

Por, në të kundërtën, bllokimi i hetimit për vdekjen e Litvinenkos, shkon në favor të plotë të instinktit cinik putinesk, se nuk ekziston gjë e tillë siç është sundimi i ligjit, ose angazhimi për të vërtetën për të mirën e vet dhe se vetëm gjërat që përfundimisht janë të rëndësishme është pushteti, frika dhe paraja. Britania duhet të jetë më e mirë se kjo, shkruan në fund të artikullit e përditshmja londineze Financial Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG