Ndërlidhjet

logo-print
Ndikimi i politikës ndaj bërjes së biznesit në Maqedoni është i madh, në veçanti ndaj kompanive të cilat aktivitetet e tyre i kanë të ndërlidhura me fonde të ndryshme shtetërore, por këtu nuk përjashtohen as bizneset e vogla, të cilat për të pasur sukses në veprimtarinë e tyre duhet të jetë të lidhur me politikën.

Kështu vlerësojnë afaristë dhe ekspert të çështjeve ekonomike.

Afaristi Risto Gushterov thotë se vështirë është që në Maqedoni të bëhet biznes në kushte kur si ndërmarrje, përkatësisht si punëdhënës më i madh paraqitet qeveria.

“Në këtë mënyrë krijohen kushte për diskriminimin e biznesit privat pasi përzgjedhja e firmave nga ana e qeverisë bëhet sipas kritereve politike varësisht nga ajo se sa janë të afërta me pushtetin apo sipas asaj se sa do të jenë të gatshme të ndajnë përfitimin me pushtetin“, thotë Gushterov.

Sipas tij, ndërmarrjet të cilat nuk janë të afërta me pushtetin mezi ia arrijnë të mbijetojnë. Një gjendje e tillë vështirë se do të ndryshohet nëse nuk ndryshohet filizofia e të bërit biznes në Maqedoni, thotë Gushterov.

Kasam Zendeli, afarist thotë se ndikimi i politikës ndaj biznesit në Maqedoni është i pranishëm, por kjo sipas tij vjen në shprehje para sw gjithash te kompanitë e mëdha.

“Nëse biznesi zhvillohet në sferën privato-private ndikimi i politikës është më i ulët, por nëse veprimtaria afariste zhvillohet në sferën privato viza-vi shtetit, atëherë ndikimi i politikës është më i lartë, nënkuptohet me firmat të cilat kryejnë shërbime ndaj shtetit, me tenderë e kështu me radhë. Është shumë e vërtetë se tek ne pa pasur ndonjë lidhje të fortë vështirë se do të marrës ndonjë tender“, thotë afaristi Zendeli.

Sistemi ekonomik është normal të jetë i varur nga politika ekonomike e vendit, por në rastin e Maqedonisë kjo formulë nuk ekziston pasi përzierja e politikës në bërjen e biznesit është shumë e madhe dhe përjashtuese për të gjitha ato biznese që nuk janë të afërta me partitë në pushtet, thotë Izet Zeqiri, profesor universitar.

“Thuhet se votat udhëheqin në politikë kurse fitimi në ekonominë, por këtu tek ne janë përzier këto koncepte pasi politika udhëheqë me ekonomike kurse votat nuk dihet se çka udhëheqin. Në Maqedoni është vështirë të realizohet biznes ekonomik nëse nuk ke fuqi politike. Sot biznesin më të madh ekonomik e realizojnë njerëzit e veshur me pushtet“, thotë Zeqiri.

Sipas tij, ndikim i politikës ndaj biznesit apo favorizimi i kompanive të caktuara të për realizimin e investimeve kapitale dëmton rëndë konkurrencën mes kompanive.

“Shteti përmes këtyre investimeve kapitale diskriminon subjektet tjera ekonomike duke u ofruar biznese vetëm kompanive të cilat janë të lidhura me pushtetin. Kjo dëmton konkurrencën reale sepse njerëzit të cilët janë në pushtet favorizojnë bizneset e tyre apo bizneset e familjarëve të tyre, bizneset e partive të tyre dhe në këtë mënyrë përjashtohet një gamë e madhe e bizneseve të cilët mund të realizojnë aktivitete ekonomike dhe mund të impenjohen në të gjithë tenderëve për realizimin e këtyre investimeve publike“, thotë Zeqiri.
XS
SM
MD
LG