Ndërlidhjet

logo-print

Për liberalizimin e vizave, kritere shtesë gjatë vjeshtës


Ilustrim

Ilustrim

Kuvendi i Kosovës pritet që me procedura të shpejtuara të miratojë të enjten pakon prej tetë ligjeve që dalin si nevojë e përmbushjes së kritereve teknike nga procesi i liberalizimit të vizave. Me këto ligje, Kuvendi pritet të përmbyllë pjesën e vet të punës nga aspekti legjislativ për këtë sezonë, kurse një angazhim shtesë pritet të ndodhë gjatë vjeshtës.

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, deputeti Lutfi Haziri i ka thënë Radios Evropa e Lirë se këto ligje rregullojnë fusha nga aspekti i rendit dhe ligjit të kërkuara nga Komisioni Evropian në kuadër të dialogut që Prishtina zhvillon me Brukselin për procesin e liberalizimit të vizave.

“Janë ligje që rregullojnë çështjen e azilit, azil-kërkimit, menaxhimit të kufirit dhe çështjeve tjera që kryesisht kanë të bëjnë me një siguri dhe kontroll më të madh të lëvizjes së njerëzve brenda shteteve të Shengenit”, ka thënë Haziri.

Me këtë pako ligjore, Kosova nuk pritet të rrumbullakojë legjislacionin e nevojshëm që Komisioni Evropian u kërkon vendeve që mëtojnë të futen në liberalizim. Një pako e re ligjore mund të inicohet pas raportit të vjeshtës së Komisionit Evropian, ku nëse jo ligje të reja, mund të kërkohet harmonizimi edhe i legjislacionit aktual me atë të BE-së.

Deputeti Haziri ka thënë, po ashtu, se në këtë fazë, Brukseli po kërkon më shumë aspekte teknike të miratimit të ligjeve, kurse një problem edhe më të madh në këtë drejtim ai e sheh fazën e zbatimit të tyre për çka Kosova shpesh nuk ka dhënë shembuj të mirë të implementimit.

“Problemi më i madh në Kosovë në këtë fushë, përveç legjislacionit të miratuar, është i legjislacionit sekondar dhe zbatimi i ligjit. Por, tash nuk po flitet për zbatim të ligjit, kryesisht po flitet për miratim të ligjeve që parasheh një numër të madh të ligjeve që do të ndryshohen dhe adoptohen, ndërkaq një pjesë e tyre janë ligje që do të miratohen për herë të parë në Kuvend”, ka shpjeguar Haziri.

Përderisa ana legjislative konsiderohet si një aspekt teknik, të cilin Kosova mund ta plotësojë, një nga problemet më të mëdha që po kërcënon seriozisht liberalizimin e vizave, është fluksi i madh i të papunëve, që përmes migrimeve ilegale mësyjnë rrugën për në vendet e Bashkimit Evropian.

Largimi i njerëzve nga Kosova kryesisht ndërlidhet me azil-kërkimin dhe punësimin e jashtëligjshëm nëpër vendet e BE-së, çka nga Brukseli është cilësuar si veprim i papranueshëm.

Deputeti Lutfi Haziri është shprehur se duke i pasur parasysh të gjitha problemet aktuale, mund të pritet që në vjeshtën e këtij viti, Brukseli t’i caktojë një kalendar të saktë Kosovës, të cilin shteti më i ri evropian duhet ta respektojë ose do të humbë tutje hapin në këtë proces.

“Kosova do ta marrë një kalendar të saktë brenda të cilit duhet t’i realizojë edhe detyrat teknike, por duhet të mbajë edhe fjalën sa i përket ndaljes me çdo kusht të azilkërkuesve dhe vendosjen e sundimit të ligjit brenda Kosovës. Njëri nga parametrat matës në liberalizimin e vizave është sundimi i ligjit, lufta kundër krimit, korrupsionit dhe dukurive të ngjashme”, ka thënë deputeti Haziri.

Për dukurinë në rritje të migrimit ilegal, ka folur të mërkurën edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka kërkuar nga qeveria që të dalë me masa urgjente dhe të krijojë një fond ngjashëm siç është vepruar me fondin zhvillimor për komunat në veri të Kosovës.

“Do të ishte me rëndësi që qeveria e vendit ta gjejë një mundësi, krahas aktiviteteve të zakonshme që kanë ministritë, departamentet e komunat, meqenëse është një situatë urgjente, të ndahet një buxhet, të krijohet një fond për vetëpunësim. Kushdo që ka ide se si të vetpunësohet të ketë mundësi të aplikojë për një fond të tillë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Kosova po ballafaqohet me probleme serioze qoftë teknike apo praktike në kuadër të zbatimit të kritereve për liberalizimin e vizave, të enjtën pritet që në Prishtinë të qëndrojë Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule. Ai pritet të mbajë një fjalim edhe para Kuvendit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG