Ndërlidhjet

Aksidentet me fatalitet, në rritje


Ilustrim
Ilustrim
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se numri i aksidenteve në komunikacion është mjaft i madh dhe shqetësues.

Sipas zyrtarëve policorë, pavarësisht se gjatë tre muajve të parë të këtij viti dukej se do të shënohej rënie e numrit të aksidenteve në komunikacion, në tremujorin e dytë të këtij viti ka pasur ngritje të numrit të aksidenteve si atyre me fatalitet, po ashtu edhe të personave të lënduar dhe me dëme materiale.

Shefi i Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit numri i përgjithshëm i aksidenteve është rritur për 3. 11 për qind, krahasuar me vitin e kaluar të periudhës së njëjtë.

"Tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rënie në numrin e aksidenteve si ato me fatalitet, po ashtu edhe atyre me lëndime dhe dëme materiale, derisa tremujori i dytë i këtij viti ka shënuar ngritje. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar kanë qenë 42 aksidente fatale, derisa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 49 aksidente fatale".

"Dhe, totali del se 3.11 për qind është më i lartë gjashtëmujori i parë i këtij viti krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Nëse u referohem statistikave me lëndime, kemi ngritje derisa tek aksidentet me dëme, ka një rënie të lehtë"
, ka thënë Kelani.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Klinikën Emergjente, fluksi i pacientëve të aksidentuar çdo vit është në rritje.

Ai ka shtuar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ndihmë emergjente kanë kërkuar 2435 persona të aksidentuar, ku 14 prej tyre kanë vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e plagëve të marra në aksident.

"Duke bërë krahasimet me vitin e kaluar, gjithsej numri i të aksidentuar kanë qenë 4740 aksidente, ku numri i të vdekurve ka arritur 16. Nga kjo del se këtë vit në gjashtëmujorin e parë kanë vdekur 14, e që është rritur numri", ka bërë të ditur Lenjani.

Lenjani ka theksuar se janë në gjendje gatishmërie t'u ofrojnë ndihmë emergjente të gjithë të aksidentuarve.

"Klinika Emergjente është e gatshme të ofrojë ndihmë, por edhe kërkojmë angazhim nga të gjitha strukturat për menaxhimin e aksidenteve, dhe lufta mediale do të jetë pjesa më e rëndësishme që të vetëdijësojnë vozitësin për t'i respektuar rregullat e komunikacionit, dhe në këtë mënyrë, edhe shëndetin e të tjerëve", ka shtuar Lenjani.

Në anën tjetër, Baki Kelani ka thënë se shkaktarët e aksidenteve kryesisht janë tejkalimi i shpejtësisë, moszbatimi i shenjave të komunikacionit, si dhe mosmbajtja e distancës, por edhe faktorë të tjerë.

"Bazuar në analizën e raportit të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë shqiptuar 136 mijë e 950 tiketa, ku ngasësit janë gjobitur për shkak të shkeljes së rregullave të komunikacionit", është shprehur Kelani.
XS
SM
MD
LG