Ndërlidhjet

Nga data 22 maj e këtij viti, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi. Merr frymë lirshëm, është mesazhi që u jepej kosovarëve nga ajo ditë. Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar. Sipas inspektorëve sanitarë, ky ligj po zbatohet në masë të madhe.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, bën të ditur se deri tash, që nga fillimi i zbatimit të këtij ligji, janë bërë 1700 inspektime në subjektet afariste dhe hoteliere. dhe është shqiptuar një gjobë prej 3.500 eurosh ashtu siç e parasheh ligji.

“Janë dhënë 400 vërejtje për pirje të duhanit, një masë e gjobës është shqiptuar deri më tani. Kemi bërë kontrolle edhe në orët e pasdites dhe kemi ardhur në përfundim që ligji po respektohet. Në bazë të opinionit tonë, ky është ligji, i cili më së shumti respektohet në vend. Mund të themi se jemi lider”, thotë Tërshnjaku.

Ndërsa, Shkumbin Spahiu, nga organizata KADC, njëherësh anëtar i grupit punues të Ligjit për kontrollin e duhanit, thotë se pret nga qytetarët që të bashkëpunojnë dhe njëherësh të respektojnë ligjin, sepse është obligim i secilit.

“Kemi pasur mirëpritje nga popullata. Më gëzon fakti që janë përgjigjur pozitivisht që Ligji për kontrollin e duhanit të respektohet. Por, duhet ta kemi parasysh që jemi në sezonin e verës dhe është më e lehtë të respektohet, derisa gjatë ditëve të ftohta, duhet një angazhim më i madh i Inspektoratit”, deklaron Spahiu.

Por, Spahiu vërejtjet i ka te cigareshitësit ambulantë, që shesin e reklamojnë duhan në rrugë, e që, sipas tij, me nenin 9.2 të Ligjit për kontrollin e duhanit, ndalohet një gjë e tillë .

“Në pikat shitëse menjëherë janë larguar produktet e duhanit nga raftet e tyre, derisa shitja e duhanit në rrugë nga shitësit ambulantë, mbetet problem. Ne kemi ardhur në konkludim, se përveç institucioneve që duhet t’i largojnë ata nga ato vende, duhet të ketë një përkujdesje sociale ndaj tyre. Duke e pasur parasysh që kjo shitje është ilegale dhe ata e shesin të pakontrolluar. Ne kemi adresuar këtë çështje edhe tek Inspektorati i tregut dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës të rregullohet kjo çështje”, shpjegon Spahiu.

Edhe udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, konsideron se Ligji për kontrollin e duhanit duhet të zbatohet në tërësi, duke cekur se nga ky ligj, kosovarët do të kenë së pari dobi shëndetësore, pastaj ekonomike, të mjedisit dhe sociale.

Syla gjithashtu shton se ndalimi i tymosjes në vende publike do të dëshmojë faktin se do të shpëtohen me mijëra jetë njerëzish, me mijëra sëmundje dhe do të kursehet buxheti i limituar i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e këtyre sëmundjeve, sepse dihet që vdekjet e parakohshme që ndodhin në Kosovë, janë si pasoja e duhanpirjes.

Ndërkaq, qytetarët e kanë mirëpritur hyrjen në fuqi të Ligjit për kontrollin e duhanit dhe respektimi, sipas tyre, duhet të jetë i domosdoshëm.

“Duhet të respektohet ligji. Nuk është i dobishëm duhani. Sa e respektojnë, nuk e di, por unë mendoj se duhet ta respektojnë”, thotë një qytetar.

Sidoqoftë, nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG