Ndërlidhjet

Afrika feston e pikëlluar ditëlindjen e Mandelas


Fëmijët në Afrikën e Jugut shënojnë ditëlindjen e 95-të të Nelson Mandelas.
Fëmijët në Afrikën e Jugut shënojnë ditëlindjen e 95-të të Nelson Mandelas.



Ky ishte urimi i fëmijëve gjithandej Afrikës së Jugut, para se të nisnin orët e mësimit, për ditëlindjen e 95-të të presidentit të tyre historik, Nelson Mandela.

Mandela, po mbahet në spital qe 6 javë rresht nga një infeksion në mushkëri, ndërsa mjekët thonë se gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet ngadalë.

Shteti jugo-afrikan është në teh prej se ish-presidenti dhe babai i kombit shumë-racor, që u themelua pas përfundimit të aparteidit më 1994, u shtri në spital, dhe prej atëherë është në gjendje kritike.

Por, të enjten ishte festë gjithandej vendit, ku afrikano-jugorët dëgjoheshin duke kënduar dhe uruar Mandelan për ditëlindjen e tij.

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në nisma bamirësie, ndërsa globalisht u dëgjuan urime për laureatin e çmimit Nobel për Paqe.

Qindra njerëz ishin mbledhur jashtë spitalit në Pretoria për të festuar ditëlindjen e presidentit historik të Afrikës së Jugut, kurse shërbimet publike kishin ndalur punën për 67 minuta në gjithë shtetin, për të nderuar 67 vjet të shërbimit të Mandelas për njerëzimin, duke luftuar kundër sundimit të pakicës së bardhë, dhe pastaj konsolidimit të harmonisë racore, kur ai u zgjodh president.

I madh e i vogël ishin mbledhur jashtë spitalit, dhe prisnin që të dëgjonin lajme nga familja e Mandelas.

Më vonë atyre iu drejtua vajza e tij, Zindzi Mandela, e cila tha se mjekët kanë vlerësime pozitive se i ati i saj do të bëjë më mirë.

“Shumë herë kam qenë e pasigurt, dhe e dyshimtë, dhe shume e frikësuar, sepse e dini se çfarë mund të ndodhë. Por, në tri javët e shkuara, unë kam parë një përmirësim të madh tek ai. Natyrisht se unë nuk jam mjeke, sepse ata vendosin e jo unë, se kur ai do të lirohet për në shtëpi, por jam e bindur se kjo do të ndodhë shumë shpejt”, tha Zindzi.

Ajo foli shkurt se edhe çka i ka dhuruar familja Mandelas për ditëlindje, edhe pse, sipas saj, dhurata ishte gjëja e fundit që kanë menduar këto ditë.

“Në fakt, nuk e dimë se çka t’i ofrojmë. Meqë e dimë se i pëlqejnë librat, mendonin njëherë që t’i blinim një, por ajo që kemi bërë zakonisht është se kemi vendosur një kolazh të fotografive familjare gjatë viteve të kaluara, dhe kështu do të bëjmë edhe sot”, tha e bija e Mandelas.

Presidenti aktual i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, vizitoi të enjten Mandelan në spital, ndërsa tha se ka arritur që t’i urojë ditëlindjen.

Zëdhënësi i presidentit, Tabo Mbeki, tha se mjekët kanë konfirmuar se shëndeti i Madibas - siç njihet në Afrikën e Jugut Nelson Mandela – po përmirësohet, dhe se mund të lirohet së shpejti për në shtëpi.

“Mendoj se populli ynë duhet të jetë optimist, sepse kjo është e rëndësishme. Mendoj se njerëzit duhet të tejkalojnë ndjenjën e trishtimit, sepse është e gabuar. Andaj, mendoj se është e rëndësishme që të gjithë t’i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe ta urojmë për ditëlindje”, tha Mbeki.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe zonja e parë, Michelle Obama, ishin burrështetasit e parë botërorë që uruan presidentin e parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela, duke i uruar edhe shërim të shpejtë.

Obama tha se bota mund të nderojë Mandelan duke ndjekur shembullin e tij dhe duke shërbyer të tjerët.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG