Ndërlidhjet

Samaras refuzon takimet direkte me Gruevskin


Antonio Samaras
Antonio Samaras
Kryeministri grek, Andonis Samaras, ka refuzuar thirrjen e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski për takime të direkte të nivelit të lartë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Përgjigja e Samarasit është transmetuar nga gazeta maqedonase “Dnevnik“, ashtu sikur edhe letra e Gruevskit, e cila nuk ishte publikuar nga kabineti i tij, por përmes mediave të afërta me qeverinë.

Samaras në letër i ka shkruar Gruevskit se nuk ka nevojë për takime në nivel të kryeministrave pasi “Greqia nuk është ajo që ka bllokuar procesin integrues të Maqedonisë, por Bashkimi Evropian, i cili nuk lejon Maqedoninë të ecë përpara“.

Kryeministri Gruevski në letrën dërguara para një muaji homologut të tij grek, kishte kërkuar bisedime të menjëhershme për zgjidhjen e çështjes së hapur, e cila tani shumë vjet po mban të bllokuar procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE.

Lidhur me refuzimin e Samarasit, kryeministri Gruevski ende nuk është prononcuar, ndërsa një nga partnerët e koalicionit të tij qeveritar, Pavle Trajanov, nga Lidhja Demokratike, thotë se përgjigja e tillë e kryeministrit grek ishte e pritshme, por përkundër kësaj, Trajanov thotë se Maqedonia duhet të vazhdojë me aktivitetet për zgjidhjen e kontestit.

“Ne edhe më tej mund të mbetemi në ofensivë, të dalim me propozime për zgjidhjen e problemit, qoftë përmes kanaleve diplomatike apo ndërmjetësve të BE-së apo SHBA-të, edhe pse Greqia është ajo e cila nuk është e gatshme për bisedime. Përgjigja negative e Samarasit nuk më befason, pasi në strategjinë e tyre është që ky kontest të mos zgjidhet. Por, pavarësisht kësaj, ne duhet të vazhdojmë aktivitetet për anëtarësim në NATO dhe BE. Ky është qëllimi ynë strategjik“, thotë Pavle Trajanov.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një takim që ka zhvilluar me ambasadorin amerikan, Poll Uollers, ka kërkuar përkrahje të guximshme nga të gjitha segmentet në vend për aktivitetet e tij jashtë vendit me qëllim integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Sipas komunikatës së BDI-së, Uollers ka ndarë të njëjtin qëndrim, se entuziazmi për procesin integrues duhet të rritet që edhe faktori ndërkombëtar të jetë i vetëdijshëm për të.

Por, nga fronti opozitar thotë se aktivitetet e deritashme të qeverisë nuk kanë qenë reale, por vetëm për të aktruar gjoja angazhimin e saj për zgjidhjen e kontestit.

“Nga e gjithë kjo nuk ka asgjë, mendoj në çështjen e letrave dhe përgjigjen e Samarasit pasi dy çështje mbeten konstante, së pari Greqia, e cila as që dëshiron të mendojë për takime direkte me Maqedoninë, por të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me emrin, i adreson në Kombet e Bashkuara dhe ndërmjetësi Metju Nimic. Ndërsa, qeveria me nismat e tilla vetëm sa tenton të tregojë para opinionit se gjoja ajo po bën diçka për zgjidhjen e kontestit”.

“Qeveria nuk duhet të luajë në këtë kartë, por ajo duhet të angazhohet për zgjidhje, pasi ne dëshirojmë integrimin, e jo Greqia. Maqedonia duhet të dalë dhe të tregojë se nëse refuzon të gjitha propozimet, atëherë cila është zgjidhja e saj, apo si mendon të zgjidhë kontestin“, thotë Tito Petkovski një nga liderët e frontit opozitar.

Edhe për njohësit e çështjeve të integrimit, është pritur një epilog i tillë në çështjen e letrave. Ismet Ramadani nga Këshilli euroatlantik nuk beson se Gruevskit do të zgjidhë ndonjëherë kontestin me Greqinë.

“Unë mendoj se duhet të gjendet ndonjë formë tjetër e komunikimit me Greqinë, por ndoshta edhe ndonjë ndryshim sa i përket udhëheqjes në Maqedoni, sepse Gruevski nuk mund të jetë një bashkëbisedues i Samarasit për gjetur zgjidhje ose kompromis për emrin. Por, gjithashtu e dimë se edhe kryeministri grek ka qëndrime, të cilat nuk japin shumë shpresë për ndonjë kompromis, edhe pse ai ka një qëndrim të harmonizuar në nivel të shtetit dhe e ka më lehtë të mbrojë qëndrimet e veta“, tha nënkryetari i Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani.
XS
SM
MD
LG