Ndërlidhjet

logo-print

Presidentja Jahjaga i shkruan baroneshës Ashton


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka shkruar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimi Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, nga e cila kërkon që të dërgojë një mision të BE-së për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Shpreh kënaqësinë e veçantë për takimin e javës së kaluar në Kosovë dhe mundësinë që patëm për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përparimin e përgjithshëm të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet fillimisht në letër.

“Në veçanti jam e kënaqur që kishim mundësinë të diskutojmë bashkërisht për rëndësinë që bart kjo periudhë për përpjekjet dhe ndërmarrjet e reja për të integruar plotësisht të gjithë qytetarët dhe për t’i forcuar institucionet tona demokratike”, shkruan tutje Jahjaga.

Ndërkaq, më pas, i kërkon baroneshës Ashton që të dërgojë edhe misionin e BE-së për të vrojtuar nga afër procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

“Si Presidente e vendit, jam plotësisht e përkushtuar t’i ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm që të sigurojmë zgjedhje të lira dhe të drejta në Kosovë, që do të rezultojnë me zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës dhe t’i adresojnë brengat e tyre. Andaj, e ftoj Shkëlqesinë tuaj të dërgojë një mision të BE-së për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në fund të letrës së presidentes Jahjaga.

Ajo, pret që t’i akomodojë mbikëqyrësit e BE-së në Kosovë gjatë vjeshtës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG