Ndërlidhjet

Lista esenciale reduktohet në listën vitale


Ilustrim
Ilustrim
Institucionet publike shëndetësore prej pas luftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.

Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi.

Por, në kuadër të rritjes së efikasitetit të menaxhimit, siç thonë zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është bërë klasifikimi i listës në tri kategori. Lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të përmbushet 100 për qind dhe pacientët nuk do të vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barnat, për të cilave u varet jeta, ka thënë Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë ka angazhuar ekspertë të farmaceutikës, të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët kanë punuar në krijimin e një liste tjetër, që është e klasifikuar në tri kategori. Lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale. Në planifikimet e ardhshme, institucionet shëndetësore janë të obliguara që të porosisin barna vetëm nga lista vitale, të cilën ministria synojë ta përmbushë 100 për qind”.

“Përmbushja e listës esenciale dhe asaj jo-esenciale do të varet nga mjetet në dispozicion që ministria synon ta përmbushë 100 për qind. Por, ajo që është e theksuar në këtë planifikim të ri, që e ka bërë ministria është që institucionet do të insistohet që sa më tepër të porosisin barna për listën vitale dhe që faktikisht janë barna jetëshpëtuese”,
ka bërë të ditur Hoti.

Ndërkaq, Shpend Fazliu, zëdhënës i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se me këtë risi, brenda QKUK-së do të përmirësohet gjendja aktuale.

“QKUK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ka filluar me një risi. Qëllimi i kësaj është që barnat vitale të domosdoshme për jetën, do të përmbushen 100 për qind. Qëllimi ka qenë që artikujt që janë të domosdoshëm dhe vital për jetën, të jenë 100 për qind. Kështu është premtuar nga MSH-ja dhe sigurisht që kjo do ta përmirësojë gjendjen me furnizim për pacientët. Ndërkaq, listat esenciale dhe jo-esenciale sigurisht se nuk do të mund të përmbushen për shkak të buxhetit të limituar”, është shprehur Fazliu.

Buxheti që Ministria e Shëndetësisë e ka dedikuar për këtë vit për barna, ka qenë 21 milionë euro, gjysma e së cilës shumë tashmë është shpenzuar. Faik Hoti ka dhënë hollësi të tjera rreth asaj se si do të menaxhohet gjysma e buxhetit të mbetur:

“Sivjet buxheti për barna ka qenë 21 milionë euro. Tash jemi në gjysmën e vitit dhe sigurisht se buxheti është përgjysmuar dhe për këtë pjesën e dytë të vitit, do të planifikohet që barnat nga lista vitale të sigurohen 100 për qind, derisa këto dy listat tjera, aq sa premton buxheti i ministrisë”.

E, sipas Shpend Fazliut, menaxherët e klinikave brenda QKUK-së, do të jenë të obliguar të bëjnë porosinë e listës vitale, për të vazhduar me ato dy lista të tjera.

“Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar planifikimin e klinikave dhe me këtë kërkesë, klinikat brenda QKUK-së kanë bërë listën e barnave vitale dhe e njëjta është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurohen artikujt e domosdoshëm. Lista esenciale ka qenë shumë e gjerë dhe ka qenë e pamundur të përmbushet”, ka theksuar Fazliu.

Sidoqoftë, me gjithë buxhetin e limituar për barna që ka Ministria e Shëndetësisë, shpeshherë brenda këtij institucioni kanë ndodhur manipulime me barna, siç është blerja e tyre me çmim shumëfish më të shtrenjtë sesa vlera reale, e po ashtu edhe futja e ndonjë ilaçi shumë të shtrenjtë në listë esenciale, derisa nevoja e pacientëve për llojin e ilaçit të tillë kanë qenë e vogël.
XS
SM
MD
LG