Ndërlidhjet

Pakistani përfshihet në pajtimin afgano-taleban

  • RFE /RL

Zyrtari më i lartë i Pakistanit për politikë të Jashtme, Sartaj Aziz.

Zyrtari më i lartë i Pakistanit për politikë të Jashtme, Sartaj Aziz.

“Për popullin e Afganistanit, kjo është ndoshta dita më e madhe e tyre, kur dihet se në të ardhmen do të shohin fëmijët e tyre, që kujdesen për sigurinë dhe jetët e familjeve dhe atdheut të tyre”.

Kështu e kishte përshkruar më 18 qershor presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ditën kur NATO-ja ua dorëzoi forcave afgane përgjegjësinë e plotë për sigurinë në shtet.

Por, paqja e brendshme vazhdon të jetë e brishtë në këtë shtet, në të cilin talebanët vazhdojnë të kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit, ku vazhdojnë të mos kenë qasje forcat afgane të sigurisë.

Për këtë arsye, Islamabadi zyrtar po dërgon emisar në Kabul për të nisur negociatat me autoritetet afgane, në përpjekje për të mënjanuar dyshimet se Pakistani mbështet militantët islamikë talebanë dhe për të negociuar rihapjen e bisedimeve paqësore mes dy grupeve.

Këtë agjendë do të ketë zyrtari më i lartë i Pakistanit për politikë të Jashtme, Sartaj Aziz, që është këshilltar i kryeministrit për diplomaci, kur të arrijë në Afganistan në fundjavë.

Mbështetja e Pakistanit llogaritet të jetë vendimtare për të arritur një paqe të qëndrueshme me talebanët në Afganistan.

Por, raportet mes dy vendeve fqinje nuk janë të qëndrueshme, pasi Kabuli vazhdimisht akuzon Islamabadin se po mbështet talebanët.

Zëdhënësi i Qeverisë në Islamabad, Aizaz Ahmad Chaudhry, tha të premten se Pakistani ka synime paqedashëse dhe se për këtë arsye, dërgon zyrtarin e saj më të lartë Sartaj Aziz për të negociuar në Kabul.

"Ne do të flasim rreth përkushtimit tonë që të mbështesim procesin paqësor dhe pajtimin në Afganistan. Ne e kemi thënë shpesh dhe duam ta theksojmë këtë gjë me sinqeritet të plotë, se ne shpresojmë që procesi i pajtimit do të nisw, sepse kjo është e vetmja rrugë për stabilitetin në Afganistan”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Pakistanit.

Sipas tij, Islamabadi ka “një lloj ndikimi” ndaj talebanëve Afganistan, por se nuk e kontrollon këtë grup militant.

Më 18 qershor, talebanët kanë hapur zyrën e tyre në Doha të Katarit.

Kjo gjë shihej si një hap që do të çonte drejt një marrëveshjeje paqësore mes talebanëve dhe Agfanistanit, por presidenti afgan, Hamid Karzai, e hodhi poshtë këtë ide, pasi nuk pajtohej me idenë që ajo zyre të konsiderohet si ambasadë jo-zyrtare, e një qeverie në ekzil.

Madje, zyrtarët afganë kishin akuzuar Pakistanin dhe Shtetet e Bashkuara se me hapjen e kësaj zyre, po orkestrojnë copëtimin e Afganistanit.

Për këtë arsye, një prej misioneve të Sartaj Aziz, do të jetë edhe propozimi për një takim të nivelit të lartë mes prijësve të dy shteteve.

“Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, tashmë i ka dërguar një ftesë presidentit të Afganistanit që të vizitojë Pakistanin. Zoti Sartaj Aziz do t’ia përcjellë ftesën formale atij gjatë vizitës”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë në Islamabad.

Përveç lidhjeve fqinjësore, dhe dëshirës për të sjell paqe në Afganistan, Islamabadi ka interes që të afrohet me Afganistanin, për shkak se India rivale, po tenton që të jetë lojtari kryesor në rajon.

Kjo është vizita e parë e lartë e një zyrtari të Pakistanit, prej zgjedhjeve të majit, kur Nawaz Sherif u zgjodh kryeministër dhe mbajti për vete portfolion e punëve të jashtme, mirëpo Sartaj Aziz, që është pjesë e qeverisë prej viteve të nëntëdhjeta, është në mënyrë efektive shef i diplomacisë pakistaneze.

Gjatë vizitës së tij në Kabul gjatë fundjavës, Aziz pritet të takohet me presidentin Hamid Karzai dhe zyrtarë të lartë të Afganistanit.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG