Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhjet e parakohshme bllokojnë integrimin


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi


Deri në fund të këtij viti nuk ka kushte për organizim të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni dhe çdo tentativë për t`u realizuar ato edhe më shumë do të bllokonte procesin e euro-integrimeve, vlerësojnë analistët politikë, duke komentuar deklaratat diametralisht të kundërta që vijnë nga partnerët e koalicionit qeverisës.

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, është shprehur se nëse detyrohet, do të organizojë zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që partneri shqiptar në Qeveri, BDI, ka qëndrim të kundërt në këtë moment, duke thënë se Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje, por fokusim në zgjidhjen e çështjes së emrit.

Kryeministri synon të demonstrojë se VMRO-DPMNE është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kuptohet nëse raportet në koalicionin qeveritar imponojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, thotë Tanja Karakamisheva – Jovanovska, nga Fakulteti Juridik në Shkup duke komentuar deklaratën e kryeministrit Gruevski dhënë pas takimit që realizoi me kryetarët e partive më të vogla - pjesë e bllokut maqedonas “Për Maqedoni më të mirë” .

Karakamisheva në qëndrimin e kreut të Qeverisë, sheh reflektim të përgjegjësisë ndaj zhvillimeve të fundit duke lënë të nënkuptohet se është i gatshëm t’i bëjë ballë dhe presionit që vjen nga partneri shqiptar për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Ky qëndrim ka një qëllim të caktuar dhe ajo është të demonstrohet përgjegjësi e institucioneve shtetërore për t’u ballafaquar me të gjitha situatat e mundshme, të cilat mund të shfaqen gjatë periudhës së ardhshme”, vlerëson Tanja Karakamaisheva – Jovanovska, analiste politike.

Por, me këtë nuk pajtohet Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillim të Demokracisë, sipas të cilit pikërisht përmes zgjedhjeve, kreu i Qeverisë dëshiron t`i shmanget përgjegjësisë dhe detyrimeve që ka, edhe t’i hap rrugë procesit të integrimit, e me këtë dhe krijoj kushte për një perspektivë më të mirë për qytetarët.

“Justifikim i vetëm për zgjedhje të parakohshme për mua do të ishte defokusimi i prej problemit aktual dhe shumë madhor, të cilin Maqedonia e ka me Greqinë me këtë dhe prolongimin e procesit euro-integrues. Zgjedhjet e parakohshme bëhen me një qëllim të caktuar, për t’u përforcuar pozita e një politikë-bërjeje ose të verifikohen qëndrimet e qeverisë ndaj politikave të caktuara. Por, problemi për momentin është se në Qeveri partnerët që e përbëjnë atë, kanë qëndrime të ndryshme ku bëhet fjalë për prioritetet shtetërore”, vlerëson Albert Musliu, analist.

Ai shton se, për momentin, të gjitha strukturat politike, qofshin ata në pushtet ose opozitë, duhet të fokusohen në gjetjen e një modalitei që do të çonte kah zgjidhja e kontestit të emrit, proces ky që është shumë i vështirë dhe kërkon nga politikë-bërësit kapacitet për të bartur përgjegjësi vendimmarrëse, edhe nëse është në dëm të partisë, por në funksion të së ardhmes së vendit.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet ta kenë logjikën e vet dhe vlerësoj se qëndrimi i dhënë nga BDI-ja, pi ujë dhe është shumë i logjikshëm. E, sa i përket shprehjes së gatishmërisë për zgjedhje, duket paksa qesharake, sepse partitë politike s’janë sportist që në çdo moment të masin forcat e kondicionit për në garë”, shton Musliu.

Ndryshe, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, e bën Parlamenti me votat e shumicës.

Në mungesë të votave të partnerit shqiptar në koalicion, do të nevojiten votat e opozitës maqedonase, por LSDM-ja është shprehur se në zgjedhje do të hyjë vetëm nëse përfshihen rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it.
XS
SM
MD
LG