Ndërlidhjet

logo-print

Selmani: Qeveria nuk përfill sugjerimet rreth Ligjit për media


Naser Selmani

Naser Selmani

Qeveria e Maqedonisë deri më tani ka ndryshuar tri versione të Ligjit për media duke bërë ndryshime kozmetike, por shmanget që të pranojë vërejtjet kyçe që i bëjmë ne si Shoqatë e Gazetarëve, si dhe ato të paraqitura nga ekspertët e KE-së, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani.


RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë vërejtjet e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë ndaj draft-ligjit më të ri që rregullon punën e mediave në Maqedoni, të prezantuar nga ministri i Shoqërisë Informative, në fakt edhe ky version është tërësisht i papranueshëm për gazetarët, pse?

NASER SELMANI
Ne nuk kemi bërë vërejtje për draft-ligjin e ri, të prezantuar nga Ministria e Shoqërisë Informative vetëm se kemi konstatuar se vërejtjet që kishim bërë për draft-ligjin e parë, nuk janë pranuar fare. Është e rëndësishme të theksohet se vërejtjet tona, të cilat ne, si SHGM (Shoqatë e Gazetarëve të Maqedonisë), i shprehëm si shqetësim, janë tërësisht kompaktibile me vërejtjet e dala nga ekspertizat e Këshillit Evropian dhe OSBE-së.

Në fakt, Qeveria e Maqedonisë deri më tani ka ndryshuar tri versione të Ligjit që rregullon punën e mediave dhe në secilin prej tyre bën ndryshime kozmetike, por njëkohësisht i shmanget që të pranojë vërejtjet kyçe që i bëjmë ne si Shoqatë e Gazetarëve, si dhe ato të paraqitura nga ekspertët e KE-së.

Ajo që ne na shqetëson është insistimi i Qeverisë që të vendosë një regjim unik rregullator për të gjitha mediat. Është pranuar edhe si standard evropian se mediat e ndryshme kërkojnë nivel të ndryshëm të rregullimit. Ne insistojmë që mediat e shtypura dhe ato të internetit të mos rregullohen me ligj, sepse faktikisht këtë nuk e kërkon askush dhe nuk ka nevojë për rregullimin e funksionimit të tyre me ligj dhe më e rëndësishmja, një gjë e këtillë nuk është dhe kërkesë e Bashkimit Evropian.

Ne nuk e kuptojmë cila është ideja, nevoja që Qeveria e Maqedonisë të vërë nën një regjim rregullator median e shtypur dhe internetin.

Për të qenë më të saktë, është e vërtetë se në disa vende të BE-së ka një nivel më të butë për median e shtypur edhe atë të internetit dhe ne insistojmë në atë nëse qeveria këmbëngul në futjen në korniza ligjore edhe median e shtypur dhe funksionimin e portaleve në internet, atëherë ne kërkojmë që përgjegjës për rregullimin e këtyre mediave të jetë një agjenci e ri e veçantë dhe jo Agjencia e medias, që është përgjegjëse për rregullimin e punës së mediave audio-vizuele.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbase një varg vërejtjesh keni bërë edhe për atë pjesë të ligjit që rregullon punën e Servisit Publik në Maqedoni. Çka konkretisht është kontestuese, përkatësisht e papranueshme për SHGM-në?

NASER SELMANI
Mënyra e formimit të qeverisjes me trupin rregullator, agjencinë e medias dhe servisin publik, gjegjësisht Radio Televizionin e Maqedonisë, nuk është në harmoni me rekomandimet e Këshillit të Evropës. Ka disa rekomandime, të cilat parashohin mënyrën e qeverisjes me trupin rregullator dhe sevisin publik dhe ne, si SHGM, vlerësojmë se të gjitha versionet e propozuara të ligjit që rregullon punën e mediave, po këtë e kanë pohuar edhe OSBE-ja dhe KE-ja, nuk janë në harmoni me këto kërkesa.

Në rekomandimet e Këshillit Evropian insistohet që trupi rregullator dhe servisi publik i Maqedonisë të jenë të pavarur. Ne nuk shohim se, si në mënyrën e propozimit të kandidatëve të këshillit të agjencisë, njëherësh po edhe në propozimin e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit të Radio Televizionit të Maqedonisë fare nuk është siguruar pavarësia e këtyre dy trupave, ngase anëtarët, të cilët propozohen në këta këshilla, gjegjësisht shumica e anëtarëve propozohen nga institucionet politike ose publike.

Nuk është zgjidhur as çështja e financimit të pavarur, ne e dimë se pa burim të qëndrueshëm financimi, si për trupin rregullator, ashtu edhe për Radio Televizionin e Maqedonisë, nuk mund të flasim për pavarësi institucionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selmani, autoritetet qeveritare, së fundmi edhe vetë ministri i Shoqërisë Informative tha se ligji është kërkesë e Brukselit dhe në të janë inkorporuara të gjitha vërejtjet që u bënë nga KE-ja dhe OSBE-ja. Atëherë, mund të na thoni me çka konkretisht kanë të bëjnë shqetësimet tuaja, si Shoqatë e Gazetarëve të Maqedonisë?

NASER SELMANI
Ne jemi të shqetësuar për këtë inat të shprehur nga ana e Qeverisë, e cila me këmbëngulje përpiqet të miratojë një ligj, i cili nuk është në harmoni me standardet evropiane. Nëse ne nuk kemi ligj, i cili do të jetë në harmoni të plotë me frymën e standardeve evropiane, ne atëherë nuk mund të presim që problemet me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, do të mund të zgjidhen. Kjo, sepse miratimi i ligjit konform standardeve evropiane, është hapi i parë, për të cilin ne, si SHGM, do të vlerësojmë se Qeveria ka gatishmëri për të zgjidhur problemet për respektimin e fjalës së lirë ose jo.

Mënyra se si sillet Qeveria deri më tani fatkeqësisht dëshmon se kjo gatishmëritë derisa s’e ka, ajo nuk ekziston, përkundrazi insiston që të mbajë kontrollin e plotë që ka në media dhe njëkohësisht synon të zgjerojë këtë kontroll në pjesën tjetër të medias, pra në median e shtypur dhe portalet në internet.

Kjo është vërtet për t`u shqetësuar dhe njëherësh jam i mendimit se nëse këto ligje kalojnë në këtë mënyrë, duke mos i respektuar vërejtjet e OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, njëherësh dhe vërejtjet e paraqitura nga ne si SHGM, jemi të bindur se liria e shtypit do të përkeqësohet edhe më shumë.

Njëkohësisht, më duhet të theksoj se jam i bindur se në raportet e ardhshme të KE-së që pasqyrojnë progresin që shënon Maqedonia, sa i përket përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE, si dhe në raportet e “Reporterëve pa kufi” dhe institucionet tjera ndërkombëtare, që merren me lirinë e shtypit, do të konstatojnë se liria e shtypit në Maqedoni shënon rënie të theksuar.

Jam i bindur se ne do vazhdojmë të biem në indeksin e vendeve me liri të pjesshme të medias dhe kam frikë se do të mund të hyjmë në atë grupin më të rrezikshëm, gjegjësisht do të jemi në fund të listës me vendet ku nuk ka fare liri të shprehjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selmani, ju keni theksuar qartë se më mirë mos të ketë fare ligj i cili do të rregulloj punën e medieve, sesa të sillet ligj po duke anashkaluar një pjesë të vërejtjeve të apostrofuara nga gazetarët...

NASER SELMANI
Absolutisht po. Qeveria me vetëdije shkakton paqartësi në opinion me qëllim që të kalojë ligji ashtu siç e ka paramenduar ajo. Ne insistojmë që Ligji për media, që rregullon gjegjësisht vendos parimet në bazë, sipas të cilave do të punojnë të gjitha mediat audio-vizuele, të shtypura dhe ato të internetit, të tërhiqet.

Ndërsa, ligji tjetër që është vetëm për mediat audio-vizuele, mund të mbetet në procedurë për miratim, por duke respektuar direktivat evropiane për shërbime audio-vizive dhe njëkohësisht duke implementuar vërejtjet kyçe të Këshillit të Evropës, të OSBE-së dhe të organizmave tjerë joqeveritarë të gazetarëve të Maqedonisë.

Nëse nga ana e Qeverisë së Maqedonisë ka vullnet për këtë, mendoj se mund të miratohet një ligj, i cili, të paktën, do të jetë në frymën e standardeve evropiane dhe në të ardhmen mund të punojmë në implementimin e plotë të dispozitave të këtij ligji. Nëse kjo nuk ndodh, ritheksoj se liria e shprehjes në Maqedoni do të pësojë rënie edhe më të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë angazhimi SHGM-së gjatë kësaj periudhe, meqë duket se Qeveria s`përfill sugjerimet e mediave?

NASER SELMANI
Do të organizojmë debate publike në mënyrë që të vetëdijesojmë opinionin publik se këto ligje që rregullojnë punën e medias, kështu siç janë propozuar, jo vetëm se nuk janë në interes të vendit, nuk janë në interes të medias, po faktikisht nuk janë as në interes të Qeverisë. Duket se Qeveria ka qëllime të tjera - të mbajë kontrollin mbi mediat, të ruajë pushtetin, se sa të kujdeset për krijimin e një ambienti të mirëfilltë për lirinë e medias, lirinë e shprehjes dhe integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG