Ndërlidhjet

logo-print

Për MSA, Kosova ka edhe shumë kritere

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Vizita e komisionarit për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule, në Prishtinë dhe Beograd, vlerësohet se është dëshmi se KE-ja po bën përgatitjet e fundit për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën dhe për fillimin e negociatave për pranim me Serbinë.

Derisa negociatat për Kosovën nuk janë të kushtëzuara, ato për Serbinë po.

Megjithatë, konsiderohet se Kosova duhet t’i plotësojë edhe shumë kritere, që përfshijnë edhe reformën e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe depolitizimin e shërbimeve publike.

Siç ka thënë Fule gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Komisioni Evropian beson se në vjeshtë do të mund nisin negociatat për MSA për Kosovën, ndërkaq nëse Prishtina i kryen detyrat e veta siç duhet, atëherë këto negociata do të mund të përmbylleshin që në pranverën e vitit që vjen.

Mirëpo, zyrtarët e Komisionit Evropian në Bruksel, por edhe diplomatët e shteteve anëtare, rikujtojnë se Kosova, për t’i përmbyllur këto negociata, duhet të përmbushë shumë kritere, ndërkohë që raportet me Serbinë janë një prej kritereve. Gjithashtu, duhet të përmbushen edhe kritere tjera që kanë të bëjnë me reformën e Gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe depolitizimin e shërbimeve publike.

Sa i përket Serbisë, komisionari për Zgjerim, Stefan Fule, ka rikujtuar edhe një herë se normalizim ii raporteve me Kosovën do të jetë një çështje që do ta përcjellë Serbinë gjatë tërë procesit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Ai ka rikonfirmuar edhe një herë se në kuadër të pikës 35 të kapitullit të quajtur “Çështje të tjera në procesin negociator”, me Serbinë do të diskutohet për Kosovën dhe do të matet se sa është përmbushur ky kriter për Republikën e Serbisë, i përcaktuar nga Bashkimi Evropian.

Sido që të jetë, për Kosovën vendimi është marrë që të nisin negociatat dhe ai nuk është kushtëzuar, përpos që është kushtëzuar me përgatitjen e nisjes së tyre. Sa i përket Serbisë vendimi për të nisur negociatat në janar të vitit që vjen, vazhdon të jetë i kushtëzuar me vlerësimin që duhet ta bëjnë liderët e shteteve anëtare në dhjetor kur në samit duhet të miratojnë kornizën negociuese të BE-së e që nuk do të miratohet në rast se nuk vlerësohet se janë përmbushur në masë të kënaqshme kushtet e lidhura me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Java që vjen mund të jetë një javë e rëndësishme për këtë proces. Në Bruksel do të takohen edhe një herë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton. Do të bëhet përpjekje që më në fund në këtë takim edhe formalisht të arrihet marrëveshja për telekom dhe ajo për energjetikë.

Siç dihet, Bashkimi Evropian edhe kohë më parë këto dy marrëveshje i kishte caktuar si kusht - kusht ky që nuk ishte përmbushur me kohë, sepse si afat për arritjen e pajtimit për energjetikë dhe telekom ishte përmendur 15 qershori i këtij viti.

Edhe pse ky kusht nuk është përmbushur, në BE shpresojnë se çështjet janë afruar shumë dhe se do të ketë marrëveshje ndoshta javën që vjen.
XS
SM
MD
LG