Ndërlidhjet

SHBA: Kongresistët i shkruajnë Obamës


Uashington...
Uashington...
Më se 120 anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara e kanë nënshkruar një letër, e cila i bën ftesë presidentit Barack Obama, për një riangazhim diplomatik me Iranin, lidhur me programin e tij bërthamor, pas zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës Islamike.

Autorët e letrës janë Charles Dent, republikan nga Pensilvania, dhe David Price, demokrat nga Karolina Veriore.

Letra i ka tashmë nënshkrimet e afro çerekut të anëtarëve të Dhomës Përfaqësuese. Ajo është përshkruar si një lëvizje e rëndësishme për diplomacinë me Iranin.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se ajo nuk paraqet ndryshim dramatik të opinioneve brenda Kongresit, i cili ka kërkuar masa të ashpra kundër Iranit.

Në letër theksohet se derisa presidentët e mëparshëm të Iranit, të zgjedhur në platformën e qëndrimeve të moderuara, kanë dështuar t’i realizojnë ato, “do të ishte gabim, nëse nuk testohet” se a paraqet presidenti i zgjedhur iranian, Hassan Rohani, një mundësi të sinqertë për progres në marrëdhëniet SHBA - Irani.

Në letër, pos tjerash, theksohet: “Se me qëllim që të testohet ky propozim, do të jetë urtësi nga Shtetet e Bashkuara, për t’i shfrytëzuar të gjitha mjetet diplomatike për riafirmimin e bisedimeve atomike, që janë në zhvillim e sipër”.

Në letër, po ashtu, tërhiqet vërejtja kundër ndërmarrjes së “aksioneve provokuese”, të cilat mund ta dobësojnë Rohanin, që ka premtuar qëndrime të moderuara në Iran dhe jashtë tij.

Prej se është zgjedhur president, Hassan Rohani ka shprehur gatishmëri për më tepër transparencë në çështjen atomike dhe në angazhimin me komunitetin ndërkombëtar.

Në letrën e ligjvënësve amerikanë jepet këshilla që “sanksionet bilaterale dhe multilaterale duhet të kalibrohen në atë mënyrë që të nxisin lëshime të rëndësishme dhe të verifikueshme nga Irani”.

Një zëdhënës i anëtarit të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, David Price, i tha Radios Evropa e Lirë, se 124 kongresistë, përfshirë 15 republikanë, e kanë nënshkruar letrën deri më 18 korrik.

Përfaqësuesi Keith Ellison, demokrat nga Minesota, njëherësh myslimani i parë i zgjedhur në Kongresin amerikan, është në mesin e nënshkruesve. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se zgjedhja e Rohanit mund të paraqesë një mundësi të mirë për Shtetet e Bashkuara për ripërtëritjen e raporteve me Iranin.

“Nuk është garanci, garancia dhe mundësia nuk janë e njëjta gjë. Por, mendoj se nëse ekziston qoftë edhe një gjasë që Shtetet e Bashkuara dhe Irani të riangazhohen në ndërtimin e raporteve të reja, atëherë këtë mundësi duhet ta shfrytëzojmë. Të dy janë shtete të mëdha dhe të fuqishme dhe ka pasur retorikë armiqësore andej e këndej. Përse të mos shohim se a mund t’i ripërtërijmë raportet, ose së paku ta fillojmë dialogun, me zgjedhjen e zotit Rohani?”, tha Ellison.

Aliriza Nader, ekspert për Iranin në Rand Corporation, tha se letra paraqet “zhvillim të rëndësishëm”.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se “qartazi duke qenë i ashpër me Republikën Islamike, është politikisht e vlefshme, prandaj kjo bën që të ketë retorikë të fuqishme për politikat e Teheranit, e veçanërisht për programin atomik. Por, shumë politikë-bërës amerikanë, përfshirë edhe anëtarët e Kongresit, besojnë se opsioni më i mirë në ndaljen e lëvizjes atomike të Iranit është nëpërmjet marrëveshjes me negociata”.

Analisti Nader mendon se zgjedhja e Rohanit paraqet “mundësi unike” për zgjidhjen e krizës atomike në mënyrë diplomatike.

Suzanne Maloney, ish-eksperte e Departamentit Amerikan të Shtetit për Iranin në Institutin Brukings, thotë se letra është një gjest i rëndësishëm, por nuk pret ndonjë ndryshim dramatik.

“Mendoj se atje gjithnjë ka qenë së paku një pakicë e mbështetjes për diplomaci me Iranin. Por, kjo, me gjasë do të mbetet një mbështetje shumicë, shumë e fuqishme, për rritje të presionit ndaj Iranit, derisa nuk arrihet marrëveshje për çështjen atomike”, vlerësoi Maloney.

Sipas saj, çfarëdo koncesionesh të Shteteve të Bashkuara për çështjen e programit atomik të Iranit, do të varen nga lëvizjet e Teheranit.

“Natyrisht, iranianët dëshirojnë të shohin diçka dramatike nga ana jonë, por gjasat që administrata apo Kongresi të mbështesin koncesione paraprake ose relaksim dramatik të sanksioneve, para ndonjë lëvizjeje të palës iraniane, për mendimin tim, është jorealiste”, tha Suzanne Maloney. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG