Ndërlidhjet

Integrim apo fuqizim i serbëve drejt zgjidhjes definitive?


Mitrovicë...
Mitrovicë...
Rrethanat dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe qëllimet e Serbisë për Kosovën, kanë një ndeshje dhe janë larg harmonizimit që serbët e veriut të integrohen në institucionet e vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Politologu Behlul Beqaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se serbët do ta vazhdojnë lojën e dyfishtë, duke u hamendur ndërmjet integrimit në institucionet e Kosovës dhe duke bërë çmos që mos t’i braktisin institucionet e Serbisë.

“Kjo lojë e dyfishtë do të vazhdojë për aq sa nuk do të kemi garanci të bollshme se serbët e jugut janë të kënaqur me integrimin e tyre. Ndërsa, serbët e veriut po mendojnë se liritë dhe të drejtat e tyre janë shumë më të mëdha se sa që i kanë serbët që janë integruar në institucionet e Kosovës”.

“Pra, unë mendoj se loja e dyfishtë do të vazhdojë – loja dinake e Serbisë me ta – dhe ajo, me siguri, fundja do ta marrë një epilog për shkak të trysnisë ndërkombëtare. Epilogu do të jetë që ata do të insistojnë me çdo kusht që ta kenë një ‘Thaçi’ që do të udhëheqë tërë procesin e zhvillimeve të mëtejme të Bashkësisë së Komunave Serbe, përmes Beogradit”
, vlerëson Beqaj.

Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova, duke u nisur me marrëveshjen me Serbinë, por edhe me Ligjin e amnistisë, po bën çmos për integrimin e serbëve të veriut, në anën tjetër, sipas tij, Serbia po bën lojën e dyfishtë dhe veprimet e saj janë të kundërta nga ajo çfarë ajo dëshiron të paraqitet.

“Vazhdimisht mundohen që me vepra ende t’i sabotojnë institucionet e Kosovës, përderisa me fjalë ata janë për integrimin e serbëve. E kemi rastin e themelimit të Kuvendit të serbëve në veriun e Kosovës, ndërsa, të gjitha këto rrethana e bëjnë të pamundur integrimin e mirëfilltë të serbëve në institucionet e Kosovës. Përderisa e kemi një Serbi, e cila nuk e ndryshon Kushtetutën e vet në këtë dialog, ndërkohë që Kosova vazhdimisht po i ndryshon ligjet e saj, atëherë nuk kemi ndonjë politikë në të dy shtetet, e cila do të siguronte integrimin e serbëve në veri të Kosovës”, shprehet Kursani.

Në anën tjetër, autoritetet e Beogradit u kanë bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke iu rekomanduar që këtë ta bëjnë përmes një liste të përbashkët.

Kursani vlerëson se kryeministri serb, Ivica Daçiq, synon që t’i unifikojë serbët, në mënyrë që pesha e kërkesave të tyre të rritet karshi Prishtinës zyrtare.

Një listë e përbashkët e serbëve në veri, normalisht që do t’i forconte serbët dhe kërkesat e tyre, që mund dhe besoj se do t’i tejkalojnë kërkesat dhe marrëveshjen e arritur deri më tani. Do të thotë, në qoftë se krijohet një trup politik serb në veri, atëherë ai trup ose kjo listë e përbashkët, do ta forconte subjektivitetin e saj dhe si e tillë, kërkesat e tyre do të bëhen më të fuqishme edhe në vazhdimin e dialogut që do të jetë përsëri për veriun dhe për gjërat tjera në Kosovë”, thekson Kursani.

Politologu Beqaj vlerëson se fuqizimi i serbëve të veriut përmes një liste të përbashkët në zgjedhje lokale, si dhe rekomandimi i autoriteteve të Beogradit për një gjë të tillë, japin shkak për të dyshuar se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të jetë caku i fundit i serbëve të veriut.

“Unë mendoj se çështja e integrimit apo fuqizimit të tyre, në fakt do të thotë përafrim drejt objektivit kryesor, i cili ka të bëjë me atë sentencën e (Dana) Rohrabacher –it, kongresistit republikan amerikan, që pati thënë se ‘ata serbë që nuk dëshirojnë të jetojnë në shtetin e Kosovës, duhet të bëjnë zgjidhje sikurse shqiptarët që nuk dëshirojnë të jetojnë në shtetin e Serbisë’”.

“Pra, besoj se përafërsisht kjo është ajo që duhet të na presë në fazën pas formimit të Bashkësisë së komunave serbe. Gjithsesi, pra nuk do të jetë fundi. Ky mund të jetë vetëm një episod i parafundit për zgjidhjen eventuale definitive të raportit serbo-shqiptar”, thotë Beqaj.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pjesëmarrja eventuale e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale me një listë të përbashkët, sipas rekomandimeve të Beogradit zyrtar, do t’ia krijonte mundësinë këtij të fundit që t’i mbante më mirë nën kontroll serbët e veriut.
XS
SM
MD
LG