Ndërlidhjet

Jahjaga: Rruga e ikjes nga Kosova ka përfunduar


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga shprehet e brengosur për migrimin e qytetarëve të Kosovës, në vendet e treta.

"Më lejoni që prej këtu sot të shpreh brengën time të thellë, po aq sa edhe brengën e secilit qytetar të Kosovës, për largimin e rinjve tanë nga vendi drejt një të ardhmeje jo fort të qartë. Shpreh brengën time të thellë me ato pamje të të rinjve tanë të vendosur në kampe refugjatësh, pa asnjë shpresë për të fituar një perspektivë të re", tha Jahjaga.

Presidentja tha se rruga e ikjes ka përfunduar "për ne, për njerëzit e përvuajtur të Kosovës, që këtu e 15 vjet më parë qenë dëbuar me dhunë. E kuptoj drejt vështirësinë e jetës dhe dëshpërimin e secilit prej atyre që ka marrë këtë rrugë, por rruga e frikës, ikjes dhe dëbimeve nuk përsëritet më".

"Kosova nuk është më vatër e krizës, por një shtet i pranuar ndërkombëtarisht, që respekton normat, ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Kosova është shtet që po kërkon mënyra për t’u zhvilluar dhe përparuar, për të hapur vende të reja pune, që do të pamundësojnë kërkimin e një jete të re, përtej kufijve tanë".

"Guximi ynë për t’u përballur me vështirësitë sot do të ndryshojë jetën tonë dhe do të ndihmojë në zhvillimin e shtetit tonë. Dhe guximi për të ndryshuar dhe përparuar të sotmen do të përshpejtojë rrugën e integrimeve tona evropiane, që nuk mund dhe nuk duhet të rrezikohet nga asgjë", tha presidentja Jahjaga.

Këto deklarata Jahjaga i bëri në shënimin e Ditës së Drejtësisë, ku ndër tjerash tha se "tre vjet më parë Kosova fitoi një ndër betejat më të rëndësishme në fushën e së drejtës ndërkombëtare si verdikt shpalljes së pavarësisë, shtet ndërtimit, subjektivitetit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të vendit, duke dëshmuar se vullneti dhe vlerat mbi të cilat kemi formuar shtetin ishin të drejta dhe mishërojnë vullnetin dhe vlerat e demokracisë botërore".

"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është verdikti i drejtë që njohu përpjekjet e popullit për liri dhe pavarësi, që i dha Kosovës shansin e rikthimit në familjen evropiane dhe që vendosi paqen dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit".
XS
SM
MD
LG