Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga e Nikolliq në samitin e Bërdos


Ljubjana dhe Zagrebi zyrtar ftojnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në samitin e Procesit të Bërdos, në Slloveni.

Me nismë të presidentëve Borut Pahor dhe Ivo Josipoviq, presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë Tomisllav Nikolliq, pritet të marrin pjesë të enjten në këtë konferencë, e cila mbledh tetë presidentë të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.

“Me ftesë të presidentëve të Sllovenisë [Borut] Pahor dhe të Kroacisë [Ivo] Josipoviq, presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, i cili do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë”, i tha Vllahiu Radios Evropa e Lirë.

Në takimin e 25 korrikut praninë e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës François Hollande, i cili do t’iu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.

Presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shihen si promoter të zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Evropian dhe të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon.

Konferenca e Bërdos në Kranj, shihet si një forum i nivelit të lartë që do të forcojë bashkëpunimin ndërshtetëror mes vendeve të rajonit, e që është edhe kriter bazë për integrimin evropian të këtyre shteteve.

Presidentja [Atifete Jahjaga], si edhe të gjithë presidentët e tjerë pjesëmarrës në takim do të mbajë një fjalë rasti, në takimin e inicuar nga presidenti sloven dhe ai kroat, si nismë për të ndihmuar integrimin e ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha të hënën për Radion Evropa e Lirë, shefi i stafit të presidentes së Kosovës Arbër Vllahiu.

Radio Evropa e Lire merr vesh se në takim, përveç presdientit francez Hollande, ka mundësi të marrë pjesë edhe Perfaqesuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri Catherine Ashton.

Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq janë takuar disa herë gjatë këtij viti.

Fillimisht me nismën e baroneshës Catherine Ashton, në kuadër të dialog të lartë politikë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Por takimet në nivel presidentësh në samite ndërmjet dy presidentëve Jahjaga dhe Nikolliq, kanë vazhduar gjatë muajve të ardhshëm.

Ata u takuan në Sllovaki në Samitin e Presidentëve të Evropës Lindore dhe Jug-Lindore, dhe së fundi në Kroaci në fund të qershorit, dhe fillim të korrikut, pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Samiti i Bërdos vjen pas dështimit të një konference të njëjtë të nivelit të presidentëve, që është dashur të zhvillohet në muajin qershor në Ohër, nën organizimin e kryetarit të Maqedonisë.

Por Samiti i Ohrit, nuk u mbajt për shkak se organizatorët nuk e ftuan edhe presidentën e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Disa nga presidentët e vendeve të ftuara, si ai i Kroacisë, Shqipërisë dhe Sllovenisë, e anuluan pjesëmarrjen në shenjë kundërshtimi të mospjesëmarrjes dhe mos-ftimit të Kosovës në Samit.

Samiti i Bërdos është i pari i këtij lloji, që mbledh presidentët e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, nën organizimin e dy vendeve anëtare të BE-së, dikur pjesë e ish-Jugosllavisë.

Besohet se samiti i këtillë do të vazhdojë të mbahet dhe presidentët e shteteve të Ballkanit, si dhe organizatorët mund të merren vesh për vazhdimin e konferencave të tilla, duke përcaktuar edhe modalitetet e takimeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG