Ndërlidhjet

logo-print

Serbët të ndarë rreth “listës së përbashkët”


Pamje nga veriu...

Pamje nga veriu...

Serbët e Kosovës sërish janë të ndarë lidhur me çështjen e formimit të një liste të përbashkët me të cilën do të hynin në zgjedhjet lokale të Kosovës.

Propozimin për një listë të tillë e kishte bërë më parë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili pati shfaqur qëndrimin e tij që subjektet politike serbe të mos marrin pjesë veç e veç në zgjedhjet lokale, por të formohet lista e përbashkët serbe.

Por, përderisa serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër thonë se lista e përbashkët serbe do ta forconte pozicionin e tyre për mbrojtjen e interesave të komunitetit serb, ata që jetojnë në veri të Kosovës, theksojnë se me një propozim të tillë, zyrtarët e Beogradit po përpiqen, siç thonë ata, “ta pastrojnë tradhtinë”.

Njëri prej liderëve të serbëve të veriut, Marko Jakshiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se përfaqësuesit e tyre gjatë bisedimeve me kreun e shtetit të Serbisë, kanë shprehur mospajtimin që serbët e veriut të dalin në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës.

Por, sipas tij, lidhur me këtë çështje, presioni nga autoritetet e Beogradit pritet të jetë i madh.

“Ne në disa raste kemi theksuar se nëse Partia Përparimtare Serbe është partia më e fuqishme në Serbi dhe nëse e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit, pse atëherë nuk po e regjistron subjektin e saj në Prishtinë, të shkojë në fushatë parazgjedhore dhe le t’i marrë të gjitha votat e saj. Por, me bërjen e të ashtuquajturës listë të përbashkët serbe, një numër i madh i subjekteve politike, sidomos për Partia Socialiste e Serbisë dhe Partia Përparimtare Serbe, dëshirojnë ta fshehin apo të bëjnë një perde të mjegullt, për ta larë tradhtinë”, ka thënë Jakshiq.

Ai ka shtuar se partitë që i përmendi, sigurisht se do ta krijojnë një listë të përbashkët serbe.

“Ata me siguri se do ta bëjnë atë listë. Mendoj se aty do të jenë anonimët, por esenca e gjithë kësaj është në atë se ne tashmë e kemi parë se ajo listë do të jetë, para së gjithash një fasadë e jashtme, e cila duhet ta fshehë esencën e vërtetë, ndërkaq esenca e vërtetë është marrëveshja e keqe me Prishtinën”, ka theksuar Jakshiq.

Në anën tjetër, njëri prej liderëve të serbëve të Kosova qendrore, Rangjel Nojkiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të nëntorit me një listë të përbashkët, është me rëndësi të veçantë.

Kjo, sipas tij, për faktin se me këtë do të mbrohen në mënyrë të barabartë interesat e bashkësisë serbe në gjithë territorin e Kosovës.

“Lista e përbashkët serbe është zgjidhje e drejtë, në bazë të së cilës do të mbroheshin serbët jo vetëm në komuna dhe në vetëqeverisjet lokale ku serbët janë shumicë, por edhe në ato hapësira ku ata janë pakicë dhe kanë mbetur të harruar”, ka thënë Nojkiq.

Ai gjithashtu ka shprehur mendimin se një listë e përbashkët serbë do të hapte rrugën edhe për zgjedhjet qendrore në Kosovë..

“Në këtë mënyrë do të krijohej klima pozitive edhe për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin qendror. Kjo do të ishte recetë dhe udhërrëfyes, që me një listë të përbashkët mund të realizohet një numër i madh i deputetëve. Unë jam i bindur se më pas, asnjë vendim dhe asnjë zgjidhje që ka të bëjë me serbët dhe bashkësitë tjera, nuk do të mund të arrihet pa serbët”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se serbët e veriut duhet vet ta peshojnë faktin nëse mendojnë se i ashtuquajturi Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin e kanë themeluar me vetiniciativë dhe pa përkrahjen e Beogradit, do të jetë i mjaftueshëm për mbrojtjen e interesave të tyre apo faktin se do të bëhen faktorë relevantë, nëse iu përgjigjen zgjedhjeve të Kosovës dhe marrin pozita të caktuara, si në pushtetin lokal, po ashtu edhe në atë qendror.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG