Ndërlidhjet

logo-print

Arrestohen tetë persona për kontrabandim me migrantë dhe krim të organizuar


(Ilustrim)

(Ilustrim)

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar nën udhëheqje të prokurorit publik pas hetimeve të kryera që nga gushti i vitit 2012 ka bërë arrestimin e tetë personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’ dhe ‘krim të organizuar’, njofton Policia e Kosovës.

Operacioni i koduar me emrin “ERENIKU”, ka rezultuar me kontrollimin në gjashtë qytete të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Shtime, Prizren, Rahovec dhe Pejë në gjithsej trembëdhjetë lokacione të ndryshme, me ç’rast është arrestuar grupi i të dyshuarve, të cilët në vazhdimësi kryenin veprat penale të kontrabandimit të migrantëve dhe falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit.

Gjatë këtij operacioni, sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës, janë kontrolluar nëntë shtëpi dhe objekte përcjellëse si dhe katër agjensione turistike.

Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të shumave të mëdha financiare, organizonin grupe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me qëllim të kontrabandimit të tyre në shtetet e perëndimit, thuhet në komunikatë.

Ata për këtë qëllim, thuhet se shfrytëzonin vijat e rregullta të udhëtimit kryesisht nga qytetet e Kosovës në drejtim të Serbisë, për të kaluar fillimisht në Hungari e më pastaj në shtetet tjera evropiane. Gjatë hetimeve të këtij rasti janë identifikuar 30 viktima të kontrabandimit me migrantë.

Personat e dyshuar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.
XS
SM
MD
LG