Ndërlidhjet

Pritet kthimi i kontingjentit të parë nga Hungaria


Sipas informacioneve të fundit të ofruara nga autoritetet hungareze, numri i shtetasve kosovarë që janë kapur duke tentuar të futen ilegalisht në Hungari, ditëve të fundit ka pësuar rënie dhe se numri aktual i shtetasve të Kosovës që presin kthimin është rreth 500, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kosovës.

Artan Behrami, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar se kjo ministri, përmes Ambasadës në Hungari, po i mbikëqyrë me vëmendje zhvillimet që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës, të cilët në përpjekje për të migruar në shtetet e Evropës, aktualisht ndodhen në Hungari.

“MPJ në vazhdimësi po mbledh informacione për vendndodhjen, trajtimin si dhe aspektet tjera që lidhen me akomodimin e përkohshëm të tyre në këtë shtet mik, me ç’rast autoritetet hungareze kanë siguruar se qytetarët e Kosovës janë duke u trajtuar në përputhje me standardet evropiane që lidhen me trajtimin e azilkërkuesve”, ka thënë Behrami.

Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, kryetari i Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, ka theksuar se çështja e azilkërkuesve kosovarë është shqetësuese, për faktin se numri i atyre që migrojnë gjatë këtij viti është rritur.

Sipas tij, komisioni që ai drejton me kohë i ka paralajmëruar se çështja e migrimit do të jetë kërcënim serioz për procesin e integrimeve evropiane.

Ndërkohë, sipas tij, pamjet e kosovarëve në Hungari, të cilët kanë tentuar të migrojnë drejt vendeve perëndimore, janë tejet shqetësuese.

“Kosova duhet të arrijë marrëveshje të shpejtë dhe duhet të bëjë zgjidhje emergjente, në mënyrë që këta njerëz të riatdhesohen, si pjesë e këtij procesi. Praktikisht, unë do të mundohem deri në fund që në komision të thërras ministra në raport dhe ta paraqes si shqetësim serioz".

"Por, në të njëjtën kohë, bëj thirrje që qeveria të jetë rigoroze. Të mos lejojë që të deportohen qytetarët e Kosovës, sepse nëse fillon masa e deportimit, atëherë efekti do të jetë shumë i madh në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe Kosova mund të përballet me pasoja edhe më të mëdha”, tha Haziri.

Edhe Visar Ymeri, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se tashmë u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që të iniciojnë një seancë lidhur me çështjen e migrimit të qytetarëve të Kosovës.

“Kam kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që të bëhemi bashkë ose së paku 40 deputetë dhe ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të merrej drejtë për së drejti me çështjen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës, me trajtimin që po ju bëhet atyre në burgjet dhe kampet e Hungarisë, por edhe në vendet tjera, si Franca dhe të tjera që i kemi parë të gjithë përmes mediave".

"Po ashtu, ta thërrasim para përgjegjësisë Qeverinë e Kosovës, në mëënyrë që ta nxisim atë dhe të kërkojmë nga ajo llogari për masat që i ka ndërmarrë kjo qeveri për të intervenuar kundër këtij trajtimi kaq johuman që u bëhet qytetarëve të Kosovës nëpër këto vende”, u shpreh Ymeri.

Ymeri ka shtuar se seanca duhet të thirret e jashtëzakonshme për shkak të seriozitetit të problemit.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme ka theksuar se nuk është evidentuar asnjë “keqtrajtim fizik” apo rast i “ofendimit” të kosovarëve që janë vendosur në qendra të ndalimit dhe pranimit të azilkërkuesve në Hungari.

Behrami ka shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hungareze lidhur me mbështetjen e procedurave të kthimit, rrjedhimisht kthimin sa ma të shpejtë të kosovarëve në vendlindje.

Sipas tij, pritet që një numër i kosovarëve që aktualisht po mbahen në Hungari, brenda dy ditësh të riatdhesohen.

“Me 25 korrik 2013, të enjten, do të riatdhesohen 110 shtetas të Kosovës, me aeroplan ‘charter’, drejtë për drejtë nga Budapesti në Prishtinë. Nuk do të ketë kthim me transport rrugor përmes Serbisë, në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë. Do të thotë, i gjithë kthimi dhe riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës do të bëhet përmes linjave ajrore”, bëri të ditur Behrami.

Behrami ka shtuar se kontingjentet tjera të kosovarëve që aktualisht qëndrojnë në Hungari, do të riatdhesohen që në fillim të muajit gusht.
XS
SM
MD
LG