Ndërlidhjet

Autoritetet e rendit bëjnë të ditur se në pesë mujorin e parë të këtij viti në Kosovë janë identifikuar 26 viktima të trafikuara.

Ndërkaq sipas tyre, 21 janë kosovare, 4 shqiptare nga Shqipëria dhe një serbe.

"Gjatë 5 mujorit të vitit 2013 janë identifikuar 26 viktima të trafikimit me qenie njerëzore. Sa i përket shtetësisë së tyre, 21 janë kosovare, 4 shqiptare të Shqipërisë dhe një serbe. Sa i përket arrestimeve për vepra penale, e që futet edhe marrja me prostitucion, detyrim apo trafikim, gjatë këtij 5 mujori janë të arrestuar 49 persona të dyshuar për këtë çështje, 10 detyrim në prostitucion, 14 për marrje me prostitucion dhe 9 të tjerë për vepra të ndryshme penale", thotë Sabrije Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.

Por, shqetësuese mbetet mosha e femrave që merren me prostitucion. Sipas zonjës Kamberi, vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti janë identifikuar 13 viktima të trafikimit nën moshën madhore.

"Në moshën 14-17 vjeçare janë identifikuar 13 viktima, derisa 18-22 vjeçare 5 viktima, 23-25 vjeçare 2 viktima", bën të ditur Kamberi.

Përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me njerëz, Hamijete Dedolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se shqetësues mbetet fakti se në vend po trafikohen fëmijët.

"Gjendja aktuale mbetet alarmante nga vetë fakti që nga statistikat tregojnë se numri nga viti në vit po rritet. Brengosëse është se viktimat janë fëmijë. Kosova kohëve të fundit është vend origjine, pra burimi është te femrat kosovare. Duhet bëhet më shumë në qëndrueshmërinë e shërbimeve për viktima. Numri është ngritur, por qeveria duhet ofrojnë mbështetje më të madhe për organizatat që mbrojnë viktimat, që këto viktima të marrin ndihmën e nevojshme", thotë Dedolli.

Zonja Dedolli gjithashtu shton se viktimat e trafikimit ri-integrohen përmes organizatës që ajo udhëheq.

"Ne punojmë në rehabilitim të viktimave të trafikimit. Jemi e vetmja qendër që punojmë me këtë kategori. Ne i rehabilitojmë viktimat deri në 4 muaj, pastaj në ri-integrim dhe më pas në fuqizim ekonomik, dhe mundësi punësimi, e që në Kosovë është shumë e vështirë. Këtë vit ka ngritje të numrit të viktimave", shprehet Dedolli.

Ndryshe, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e personave për vitin 2012, e ka cilësuar Kosovën si një vend që është burim, destinacion, dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për shfrytëzim seksual, si dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.

Sipas zyrtarëve bë organizatat që merren me çështjen e trafikimit me qenie njerëzore, Qeveria e Kosovës nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG