Ndërlidhjet

Përfundon takimi pa asnjë marrëveshje

  • RFE /RL

Pamje nga takimi i mëparshëm në Bruksel.

Pamje nga takimi i mëparshëm në Bruksel.

Takimi i 24 korrikut ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ka përfunduar pa marrëveshje konkrete.

Siç njofton Zyra e përfaqësues së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, është arritur megjithatë pajtim që të punohet në përgatitjen sa më mirë të zgjedhjeve të 3 nëntorit, në mënyrë që të ketë pjesëmarrje sa më të madhe të serbëve.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e ndërmjetëses së dialogut Kosovë - Serbi, Catherine Ashton, i tha Radios Evropa e Lirë se dy kryeministrat janë pajtuar që të mbahet ky ritëm, të cilin ajo e cilësoi si të mirë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

“Kryeministrat i kanë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor. Ata janë pajtuar që hapa konkretë duhet të ndërmerren me qëllim që ato zgjedhje të kenë pjesëmarrje të kënaqshme. Ata, gjithashtu, konfirmuan që puna në zbatim të marrëveshjes duhet të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të njëjtin intensitet si deri më tash për të mbajtur ritmin e arritur gjatë javëve dhe muajve të fundit”, tha nga Brukseli, Kocijançiq.

Duket se takimi i 24 korrikut për temë kryesore e ka pasur zgjedhjet e 3 nëntorit, pasi edhe kryeministri Thaçi u shpreh i kënaqur para takimit me hapat që janë ndërmarrë për këtë çështje, edhe nga ana e Beogradit.

“Është me rëndësi që edhe Serbia i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa Kosova do t’i kryejë të njëjtën kohë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Kosova ka përmbyllur procesin e Ligjit mbi Amnistinë në Parlament gjë që do t’u ndihmojë edhe serbëve që të jenë më të sigurt për t’u integruar në të gjitha institucionet e Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, në anën tjetër, u shpreh i kënaqur pas takimit pasi ai tha se janë arritur pajtime konkrete për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe, siç raporton “Beta”, krijimin e policive në komunat serbe.

“Për ne është e rëndësishme që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, jo pse me këtë ndihmohet marrëveshja e Brukselit, ose për të rrumbullakuar pavarësinë e Prishtinës, por para se gjithash për t’i ndihmuar vetvetes, Serbisë, popullit tonë, që serbët në Kosovë të fitojnë për herë të parë përfaqësues legjitimë dhe të njohur ndërkombëtarisht, të cilët deri më tani i kanë quajtur institucione ilegale”, tha kryeministri serb.

Në takimin e 24 korrikut megjithatë ka një lloj përparimi sa i përket krijimit të policive në komunat serbe, dhe pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e ardhshme komunale me dokumente të Serbisë.

Para nisjes së takimit të 14-të të dialogut për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë, është përfolur shumë për arritjen e marrëveshjes për telekom dhe energji.

Kryeministri Thaçi ditë më parë kishte thënë se aplikimin për kodin telefonik të Kosovës sipas të gjitha gjasave do ta bëjë një nga vendet anëtare të BE-së.

Thaçi, para se të hynte në takimin e 24 korrikut ishte shprehur optimist se kjo marrëveshje dhe ajo për energji do të arrihej gjatë raundit të së mërkurës.

“Unë shpresoj që sot do të arrijmë marrëveshjen sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit. Kanë diskutuar ekipet teknike dhe profesionale, por sot besoj në nivel politik do të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm”, kishte deklaruar Thaçi.

Maja Kocijançiq duke u përgjigjur në këtë çështje, tha se procesi i dialogut për normalizim, është një punë që do të vazhdojë derisa të ketë çështje të hapura, pra për telekomin dhe energjinë do të gjatë raundeve të ardhshme.

“Ju e dini që procesi i dialogut është një punë që është në vazhdim e sipër. Ne do të vazhdojmë, pra, të punojmë në çështjet që mbesin të hapura”, theksoi Kocijançiq.

Zëdhënësja e Ashtonit nuk ka pranuar të tregojë datën e takimit të radhës, por këtë e ka bërë të ditur kryeministri serb, Ivica Daçiq, i cili bëri të ditur se më 27 gusht, të dy delegacionet do të udhëtojnë drejt Brukselit për takimin e radhës. (a.haraçia)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG