Ndërlidhjet

logo-print

Bjellorusi martohet me amerikanin dhe mund të mbetet në SHBA

  • RFE /RL

Një shtetas i Bjellorusisë është martuar me një partner amerikan të gjinisë së njëjtë në Shtetet e Bashkuara dhe tash ai mund të qëndroj në Amerikë.

Ky çift është ndër të parët që i shfrytëzoi ndryshimet ligjore në Shtetet e Bashkuara, sipas të cilave lejohet martesa e personave me gjini të njëjtë nga dy vende, që të jetojnë së bashku.

Viachaslau Bortnik, 39 vjeçar, aktivist për të drejtat e njeriut nga qyteti Gomel në Bjellorusi dhe Shawn Gaylord, 44 vjeçar, avokat amerikan dhe këshilltar për organizatat për të drejtat e homoseksualëve, u martuan në një ceremoni më 11 Korrik në Uashington.

Çifti kishte mbajtur marrëdhënie në largësi për afro dhjetë vite, dhe vetëm disa javë, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara për të drejtat e komunitetit LGBT (Lezbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve dhe Transvestëve), u bë e mundshme që Bortnik të mbetet në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për redaksinë bjelloruse të Radios Evropa e Lirë, Bortnik e ka përshkruar takimin e tij të parë me partnerin e tij dhe frikën se ky do të mund të ishte edhe takimi i fundit.

Ne u takuam në vitin 2003 gjatë një konference për të drejtat e njeriut të organizatës Amnesty International në Meksikë. Në atë kohë unë e themelova një zyre të kësaj organizate në Bjellorusi, ndërsa Shawn kishte ardhur si përfaqësues i zyrës tij në Uashington. Në përfundim të konferencës ai më tha se gjasat për takim të ardhshëm janë një me një milion, për shkak të largësisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë.”, tha Viachaslau Bortnik.

Por, Bortnik dhe Gaylord u shprehën të vendosur për t'u takuar përsëri, megjithëse probleme të mëdha qëndron para tyre.

Marrja e vizave amerikane, për bjellorusët është,së paku, kokëdhembje e madhe. Fluturimet nga Shtetet e Bashkuara në Bjellorusi janë të shtrenjta. Çifti u takua disa herë në vendet e treta, si në Çeki dhe Poloni, dhe mbajtën kontakt të përditshëm nëpërmjet imejlave.

Megjithëqë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Minks dinte për aktivitetin për të drejtat e njeriut të zotit Bortnik dhe kishte ndihmuar në dhënien e vizave për udhëtimet e tij në Amerikë, çifti e dinte se një zgjidhje e përhershme duhet të gjendet. Ata e shqyrtonin mundësinë për të shkuar në Kanada, ku martesa e homoseksualëve është e lejuar ligjërisht.

Por, pastaj u bë vendimi historik i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, në fund të muajit Qershor, i cili e ndryshoi jetën e tyre përgjithmonë dhe të mijëra çifteve të tjera të gjinisë së njëjtë nga dy shtete.

Me dallimin më të vogël, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e largoi dispozitën qendrore nga Akti i Mbrojtjes së Martesës, që është legjislacion federal, i cili e kufizonte definimin e martesës si bashkësi ndërmjet mashkullit dhe femrës.

Kjo lëvizje do të thotë se çiftet e martuara homoseksuale në mënyrë ligjore, kanë të drejtë të pretendojnë përfitimet e njëjta federale, sikur ato të çifteve të martuara me gjini të ndryshme në Shtetet e Bashkuara.

Ky ndryshim, po ashtu, do të thotë se të jashtmin, që martohen me shtetasit amerikanë, në martesa të personave me gjini të njëjtë, tash mund të konkurrojnë për qëndrim të përhershëm dhe eventualisht shtetësi.

Martesa e personave me gjini të njëjtë është miratuar në 12 shtete amerikane dhe në Uashington D. C., ku jeton avokati Shawn Gaylord, nga ky tregim.

Ai e përkujton ankthin dhe gëzimin me rastin e vendimit të përmendur gjyqësor.

Ne ishim të mahnitur, natyrisht. Kjo ishte diçka që kishim pritur dhe shpresuar për një kohë të gjatë. Ne e dinim se kur vendimi të bëhet, ne do të jemi në gjendje që ta mbajmë atë këtu me qëndrim të përhershëm dhe të jemi bashkë pa bezdisjen që normalisht përfshihet në marrëdhëniet ndërmjet dy personave nga vende të ndryshme”, tha Gaylord.

Bjellorusi Bortnik thotë se ai i dinë disa raste të bjellorusëve, që janë martuar me partnerë të gjinisë së njëjtë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku martesa e homoseksualëve është legale, siç është për shembull Suedia. Por, mundësia që kjo të bëhet në Shtetet e Bashkuara ishte diçka e pabesueshme për të, derisa kjo u vendos nga gjykata.

Tash, në proces e sipër për tu bërë shtetas amerikan për pesë vite, ai thekson se dallimet ndërmjet qytetit të tij Gomel në Bjellorusi dhe Uashingtonit, janë të mëdha.

Në kryeqytetin amerikan, thotë Bortnik, “askujt nuk i intereson për orientimin e juaj seksual”.

“Situata dallon krejtësisht në Bjellorusi. Nuk ka rëndësi a jeton në brendi, në kryeqytet ose në ndonjë qendër rajonale, hulumtimet e opinionit për fat të keq tregojnë se homofobia mbizotëron në Bjellorusi. Sigurisht unë nuk besoj se Bjellorusia do të mundësoj gjëra të tilla, siç është martesa e personave me gjini të njëjtë, për një periudhë afatgjatë”, tha Bortnik.

Homoseksualiteti është kriminalizuar në Bjellorusi në vitin 1994. Megjithatë, homofobia mbetet e lartë në këtë vend. Aktivistët dhe shtetasit e komunitetit LGBT, në mënyrë rutinore ballafaqohen me diskriminim dhe stigmatizim.

Situatë e ngjashme është në pjesën më të madhe të vendeve që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Në muajin Mars të këtij viti, në përgjigje të kritikave nga ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, që hapur e ka pranuar se është homoseksual,
presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, tha se “më mirë të jesh diktator se homoseksual”.

Bortnik thotë se Lukashenka po përpiqet ta mbajë shoqërinë bjelloruse në “ngrirje të vazhdueshme”.

Por, a ka Bortnik ndonjë shqetësim, pasi më vonë këtë vit planifikon të kthehet në Bjellorusi.

“Nuk pres sulme ose dhunë, por informacioni për martesën tonë ishte lajm kryesor në media dhe me fotografi. Ndoshta njerëzit do të më njohin, por jam i gatshëm për çdo reagim. E kam një histori të aktivitetit për të drejtat e njeriut dhe, po ashtu, edhe në të kaluarën kam pasur probleme me policinë, pasi isha në arrest disa herë. Pra, jam i përgatitur për çdo lloj të trajtimit. Nuk kam frikë”, tha Bortnik.

Bortnik dhe Gaylord planifikojnë që pranverën e ardhshme të udhëtojnë në Bjellorusi për ta festuar martesën e tyre. (f. bujupi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG