Ndërlidhjet

Zbogar ia rikujton Kuvendit mandatin e EULEX-it


 Samuel Zbogar
Samuel Zbogar
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka reaguar pas nxjerrjes së rezolutës nga Kuvendi i Kosovës në lidhje me mandatin e EULEX-it.

Ai vetëm u ka rikujtuar institucioneve të vendit raportet që ka Kosova me Bashkimin Evropian.

“Shtetet anëtare të BE-së i janë përgjigjur kërkesës së Kosovës për asistencë dhe janë pajtuar që të ofrojnë një mision të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, për të ndihmuar ndërtimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, për të mbështetur një demokraci funksionale dhe për t’i ndihmuar Kosovës në proceset e saj evropiane.Me partneritet së bashku ne kemi shtruar një rrugë të gjatë”, thuhet në reagimin e Zbogarit.

Ai rikujton se Policia e Kosovës, sot po i gëzon sukseset reale në luftimin e krimit të organizuar; Doganat e Kosovës po i menaxhojnë taksat në pikat kufitare në mënyrë të pavarur.

Kosova, ka vijuar ai, është gati të nisë negociatat për MSA-në dhe ne jemi së bashku duke diskutuar udhërrëfyesin për viza.

“Ky progres duhet të vazhdojë dhe BE-ja vazhdon të diskutojë zhvillimin e mbështetjes së saj me homologët e saj kosovarë. Përderisa Kosova dhe BE-ja janë pajtuar në shkëmbimin e tyre vlerave për EULEX-in, gjë që është ratifikuar në Kuvend në shtatorin e vitit të kaluar, ne duhet të bazojmë vendimet tona në një vlerësim të përbashkët të rrugës që kemi trasuar dhe asaj që e kemi përpara”, ka thënë ndër tjera Zbogar.(z.gashi)
XS
SM
MD
LG