Ndërlidhjet

Linkevicius: Vendet e Ballkanit të integrohen në BE


Linas Linkevicius (majtas) dhe Enver Hoxhaj në Prishtinë
Linas Linkevicius (majtas) dhe Enver Hoxhaj në Prishtinë
Ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, është shprehur në favor të integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

“Ne dëshirojmë që vendet e Ballkanit të integrohen në familjen evropiane”, tha sot Linkevicius në Prishtinë, pas takimit me ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Mëtutje ministri Linkevicius, vendi i të cilit aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, theksoi se ndonjëherë ecja kah BE-ja bëhet “më ngadalë ose më shpejt, por vizioni dhe e ardhmja është e qartë dhe ne duhet të punojmë së bashku që këtë ta bëjmë të mundur”.

Ai ka shprehur mbështetje të fuqishme për agjendën evropiane të Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se avancimi i këtyre proceseve është pjesë e prioriteteve të presidencës lituaneze në BE, thuhet në faqen në Internet të Ministrisë së jashtme të Kosovës.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi se “viti 2013 është një vit evropian për Kosovën, por është një vit evropian edhe për rajonin”. Mëtutje ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme, që negociatat sa i takon nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të ndodhin sa më shpejt.

Dje zoti Linkevicius e ka vizituar Beogradin, me ç’rast është takuar me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ministrin e jashtëm, Ivan Mërkiq.
XS
SM
MD
LG