Ndërlidhjet

Këshill ndërministror për luftimin e etheve hemorragjike


QKUK

QKUK

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ka themeluar Këshillin ndërministror për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike në Kosovë.

Ministri Agani ka deklaruar se është parë nevoja që të sigurohet një shkallë më e lartë e koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që të ngrihen kapacitetet institucionale për ballafaqimin me këtë problem.

“Ky Këshill ndërministror në përbërjen e tij do të ketë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, QKUK - së, Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, asaj të Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka thënë Agani.

Themelimi i këtij Këshilli është në përputhshmëri me Ligjin për shëndetësi, Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, Ligjin për inspektoriatin sanitar të Kosovës, Ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe Ligjin për veterinari.

Ndërkaq, profesionistët shëndetësorë thonë se është një vendim shumë i mirë nga ana e Qeverisë së Kosovës. Infektologu Shemsedin Dreshaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është një iniciativë shumë e mirë, por pak e vonuar.

“Unë shpresoj se vitin e ardhshëm (themelimi i Këshilllit) do t’i japë frytet e veta. Këtë vit merremi me pasojat e dështimit të parandalimit të sëmundjes. Ne merremi me menaxhimin e sëmundjes. Ne i kemi 3 pacientë të konfirmuar dhe një është në gjendje shumë të rëndë klinike dhe unë shpresoj që ai të mbijetojë. Unë vetëm mbrëmë kam pranuar gjatë natës tri raste me pickim të rriqrave”, është shprehur Dreshaj.

Sidoqoftë, këtë vit janë konfirmuar 22 raste me ethe hemorragjike, derisa 7 kanë pasur ecuri fatale, ka thënë Dreshaj.

E, Jusuf Dedushaj, epidemiolog nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pati deklaruar se në vend janë bërë hulumtime shkencore për eliminimin e rriqrave, si dhe hulumtime për prodhimin e vaksinës kundër etheve hemorragjike, por që në mungesë mjetesh nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk ka qenë i mundur realizimi.

Ai, gjithashtu, ka shtuar se është bërë edhe strategjia kombëtare për mënjanimin e sëmundjes në fjalë, por as kjo nuk ka kaluar në mungesë mjetesh.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG