Ndërlidhjet

Shkupi, 50 vjet nga tërmeti katastrofal


Muzeu
Muzeu
Shkupi shënoi 50-vjetorin nga tërmeti katastrofik i 26 korrikut të vitit 1963, ku humbën jetën 1.070 persona dhe u lënduan 3.000 të tjerë, kurse pamja e qytetit pësoi ndryshime thelbësore gjatë rindërtimit me ç’rast qenë të përfshira më shumë vende të botës.

Por, kryeqendra e Maqedonisë gjatë këtyre 50 vjetëve edhe një herë e ka ndërruar tërësisht pamjen e vet si qytet me projektin “Shkupi 2014”.

Kryetarja e Asociacionit të Arkitektëve të Maqedonisë, Danica Pavllovska, konsideron se Shkupi gjatë këtyre pesë dekadave të fundit është ngritur në një qyet modern.

”Bëhet fjalë për objekte dhe hapësira, koncepte dhe plane, për të cilat mund të themi se jemi shumë krenarë, sepse reflektojnë një mendim të theksuar sa i përket kreativitetit”, shprehet Pavllovska.

Shkup...
Shkup...
Ajo shton se arkitektura e Shkupit, pos që është bashkëkohore, është dhe mjaft e respektuar në planin ndërkombëtar.

Ndërkaq, historianët shqiptarë theksojnë se tërmeti i vitit ‘63 jo vetëm se rrënoi objektet, por rrënoi dhe përbërjen demografike të Shkupit.

“Shkupi në vitin 1963 nuk pësoi vetëm tërmetin natyror, por u godit dhe nga tërmeti i quajtur faktori njeri, ngase u ndërtuan projekte fashizoide. Pra, duke shfrytëzuar këtë moment që për institucionet shtetërore ka qenë i volitshëm për disa projekte që nuk i kishin realizuar më parë, u hoq pothuajse gjithçka shqiptare në këtë qytet”.

“Sipas dokumenteve të kohës (së vitit 1963) institucionet shtetërore sugjeronin se duhet të shfrytëzohet ky moment për të zgjeruar nga toka një herë përgjithmonë objektet fetare islame gjë që do t’i paraprinte më pastaj shpërnguljes së popullatës shqiptare nga qyteti i Shkupi”,
vlerëson Skënder Asani, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Shkup.

Ndërsa, sociologu Gjorgji Tonovski, konsideron se Shkupi sa i përket pamjes fizike, pas ndërtimeve të 1963-s, numërohet në mesin e qyteteve më të bukura të Evropës, duke shtuar se problem më vete paraqet ajo që quhet “përmbajtje kulturore”.

“Mendoj se në këtë plan ne jemi shumë të brishtë. Mungojnë dhe shumë aktivitete dhe objekte, përmes së cilave ne do të dëshmonim se këtu jetohet një jetë sipas mënyrës evropiane”, shprehet sociologu Tonovski, duke theksuar se shkupjanët, me gjithë ndryshimet e shumta që pëson Shkupi, nuk arrijnë ta ndjejnë si qytet të vetin.

Pamje nga Shkupi i vjetër
Pamje nga Shkupi i vjetër
“’Shkupi 2014’ ka një përmbajtje tjetër, më duhet të theksoj se nuk është i orientuar drejt asaj që qytetin, banorët e tij ta përjetojnë më intimisht ose atë që quhet formë e të jetuarit urban”, thotë Tonovski.

Derisa për Skënder Asanin, kryetar i Shoqatës së Historianeve Shqiptarë në Maqedoni, e keqja më e madhe është jo humbja e arkitekturës së vjetër shkupjane, por ndryshimi i përbërjes demografike të qytetit:

“Të gjitha dokumentet e dala nga arkivi i Shkupit dëshmojnë se qyteti ishte i populluar me shumicë shqiptare, ndërsa duke e shfrytëzuar faktin se institucionet drejtoheshin nga pala maqedonase, gjithnjë sipas dokumenteve, duke shfrytëzuar fatkeqësinë natyrore, mbi 20 mijë shqiptarë atëkohë u shpërngulën në Kosovë. Duke parë se objektet e tyre ishin rrënuar tërësisht, kjo shifër është e dhënë edhe në dokumentet, të cilat tani bëhen të ditura pas hapjes së arkivave të Shkupit pas 50 vjetësh”.

Historiani Asani bën të ditur se edhe 50 anëtarë të familje së tyre kanë mbetur jashtë Shkupit, si pasojë e presioneve psikologjike që bënte ish-regjimi për të ndryshuar përbërjen etnike të Shkupit.

Ndryshe, me rastin e shënimit të 50-vjetorit të tërmetit të Shkupit, janë paraparë një sërë aktivitetesh.

Qyteti i Shkupit të gjitha vendeve, të cilat pas katastrofës së madhe treguan solidaritet dhe dërguan ndihmë, do t'ju ndajë mirënjohje.
XS
SM
MD
LG