Ndërlidhjet

Reçica: Institucionet nuk parandaluan migrimin


Shemsi Reçica
Shemsi Reçica
Tragjedia më e madhe është se për herë të parë shqiptarët po migrojnë duke qenë vetëqeverisës, duke e pasur vetë vendin e tyre në dorë. Më herët, tjetërkush e ka sunduar Kosovën dhe tjetërkush ka qenë i interesuar që shqiptarët ta lënë vendin. Por, tani ky fenomen është i brendshëm dhe askënd nuk mund ta fajësojmë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, sociologu Shemsi Reçica , profesor në Universitetin e Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reçica, muajve të fundit është rritur numri i kosovarëve, të cilët përpiqen ilegalisht të migrojnë në vendet perëndimore. Si e shiheni ju këtë situatë të krijuar?

SHEMSI REÇICA
Numri relativisht i madh i atyre që kërkojnë të largohen nga Kosova, është në përputhje në radhë të parë me gjendjen e rëndë ekonomike që ekziston në Kosovë, sidomos për ata njerëz, të cilët nuk kanë vende të punës dhe kanë probleme për të siguruar ekzistencën personale, mirëpo edhe të familjes së tyre.

Është shumë vështirë që një njeri të marrë një vendim për t’u larguar nga vendi i vet në një vend tjetër dhe atë me shumë vështirësi dhe peripeci edhe pa qenë të sigurt se si do të përfundojnë dhe a do të arrijnë në pikën e destinacionit. Pra, shkojnë në një vend ku janë të huaj, ku nuk e dinë gjuhën, ku nuk e dinë a do të punojnë, ku i pret një fillim i një jetë të re dhe krejtësisht e panjohur.

Kjo do të thotë se ata njerëz kanë probleme të mëdha ekzistenciale. Ndoshta ne i kuptojmë problemet e tyre ekonomike kur nuk kanë mundësi fëmijët t’i trajtojnë mirë financiarisht dhe ekonomikisht, por problemet e tyre është vështirë t’i ndjejmë në shpirt, kur prindërit nuk kanë mundësi t’u ofrojnë fëmijëve shkollim apo edhe kushte elementare. Kjo është njëra anë.

Ana tjetër është se këta njerëz, të cilët po kërkojnë të migrojnë, janë të pashpresë.

RADIO EVROPA E LIRË
Anketat e ndryshme me të rinj tregojnë se ata janë të gatshëm të ikin nga vendi në nëse iu jepet rasti. Çfarë i sjell ata në një situatë të tillë?

SHEMSI REÇICA
Menjëherë pas luftës, para 14 vjetëve, kur u krijua mundësia për t’u kthyer në Kosovë, qytetarët e këtij vendi, të cilët ishin të vendosur në Maqedoni, Shqipëri apo edhe në vendet perënimdore me çfarë entuziazëm u kthyen, edhe pse e dinin se Kosova është e shkatërruar nga lufta dhe kushtet për ekzistencë ishin minimale. Mirëpo, atëherë njerëzit kishin shpresë dhe se në Kosovë po krijoheshin kushte dhe rrethana të reja dhe Kosova nuk është e okupuar dhe mund të jetojnë dhe punojnë normalisht pa u penguar nga askush.

Por, tani pas 14 vjetësh të çlirimit, kanë ardhur prapë në atë pikë, janë kthyer prapa po me një faktor shtesë te këta njerëz, ata nuk kanë më shpresë se do të përmirësohet gjendja e tyre. Ata e dinë se si po shkon mënyra e punësimit në Kosovë, është një proces shumë i ngadalshëm, kërkohen investime të huaja, kërkohet organizim krejt tjetër i ekonomisë në Kosovë.

Disa kanë humbur përjetësisht shpresën se mund të punësohen për arsye se e dinë që për ta siguruar një vend pune, duhet ta ketë dikë që e përkrah. Ndërsa, kur kihet parasysh që shumica prej tyre vijnë nga vendet rurale apo shtresat më të ulëta të shoqërisë, bëhet gjithnjë më e qarët se ata nuk i përkrah askush. Edhe nëse eventualisht hapet një vende punë, prapë ata nuk shpresojnë se mund të punësohen, për arsye se është krijuar bindja dhe kjo bindje ndoshta është reale se një vend i punës mund të sigurohet vetëm nëse të përkrah dikush nga Qeveria.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se kanë bërë institucionet e Kosovës që të mos ekzistojë një tendencë për migrim?

SHEMSI REÇICA
Institucionet e Kosovës me këtë çështje nuk janë marrë aspak. Ata po merren tani kur rreth 4 mijë qytetarë të Kosovës janë evidentuar se janë larguar nga Kosova në një vend tjetër për të kërkuar azil dhe, po ashtu, tendenca për të dalë jashtë vendit është në rritje.

Por, tani është një moment që këtë dukuri nuk mund ta ndalin me metoda verbale, të natyrshme. Ata këtë mund ta ndalin vetëm me metoda administrative me ndalesa.

Kohëve të fundit iu kanë bërë thirrje edhe autoriteteve të Serbisë që të kryejnë punën si duhet dhe t’i pengojë këta njerëz që mos të dalin jashtë. Pra, kërkon ndihmën e një shteti jo të zakontë për Kosovën. Në të njëjtën kohë Kosova edhe e fajëson policinë serbe se nuk po e kryen punën si duhet dhe nuk po pengon shqiptarët, por përkundrazi po krijojnë lehtësira për të kaluar përmes Serbisë në Hungari dhe më pas në vendet perëndimore. Është krejtësisht normale që Serbisë i konvenon që të tregojë se Kosova nuk është në gjendje të sigurojë vende të punës për qytetarët e saj.

Ky migrim nuk është një proces që fillon për një ditë ose për një afat të shkurtër ashtu siç është edhe një akt që nuk mund të ndalet për një kohë të shkurtër. Qeveria e Kosovës është dashur të mendojë për këtë çështje shumë vjet më përpara të krijojë kushte. Mirëpo, problemi më i madh është humbja e shpresës që ndikon shumë te njerëzit të largohen nga vendi.
Njerëzit e Qeverisë aktuale dhe të të gjitha qeverive, kuvendeve komunale etj, ata njerëz kanë menduar vetëm për veten e tyre dhe nëse bën një vëzhgim, atëherë ata njerëz janë pasuruar shumë në 12 - 13 vjetët e fundit.

Prej luftës ne kemi dalë të gjithë të varfër, ndërsa ata janë pasuruar shumë do të thotë kanë shfrytëzuar të gjitha mundësit që të sigurojnë një mirëqenie veten për familjarët dhe të afërmit e tyre .
Sikur Qeveria të kishte menduar për qytetarin e Kosovës, ata sot nuk do të përballeshin me këtë situatë. Por, nëse përfundon ky migrim, kjo shpërngulje me këto shifra, do të ishim të kënaqur, mirëpo tendencat e rritjes së migrimit janë shumë të mëdha, gjithandej njerëzit po shikojnë mundësitë si të ikin nga vendi.

Tragjedia më e madhe është se për herë të parë shqiptarët po largohen nga vendi i tyre duke qenë vetëqeverisës, duke e pasur vetë vendin e tyre në dorë. Më herët tjetërkush e ka sunduar Kosovën dhe tjetërkush ka qenë i interesuar që shqiptarët ta lënë vendin. Por, tani ky fenomen është i brendshëm dhe askënd nuk mund ta fajësojmë - as Serbinë, as Maqedoninë, as mekanizmat ndërkombëtare. Edhe nëse do të arrihet liberalizmi, pritet një trend i dyndjes së largimit të kosovarëve nga Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa vende evropiane tashmë iu kanë bërë të ditur kosovarëve se nuk do të japin leje qëndrimi apo azil në vendet e tyre dhe se procedurat e riatdhesimit janë në vazhdim e sipër. Çfarë duhet të bëjnë institucionet për t’i bindur kosovarët që të mos largohen nga vendi i tyre?

SHEMSI REÇICA
Nuk mund të bëjnë asgjë . Njerëzit që po largohen nga Kosova edhe pse e dinë se nuk mund të marrin azil në ndonjë nga vendet perëndimore dhe ata prapë do të tentojnë, pasi që janë duke jetuar nën minimumin e ekzistencës.

Edhe nëse atyre iu shpjegon se nuk e ka të garantuar strehimin politik apo ekonomik dhe se nuk ka bazë për azil, ata prapë do të bëjnë përpjekje që të largohen për shkak se atje kanë një shpresë se do të mund të bëjnë një jetë më të mirë së ne vendin e tyre.

Një njeri, i cili jeton në Kosovë i papunë dhe i ka humbur shpresat se mund të gjejë punë, ai ka një shpresë se këtë mund ta arrijë në shtetet perëndimore.
Është vështirë të pritet një zgjidhje, pasi që zgjidhjet e shpejta për hapjen e vendeve të reja të punës nuk priten.
XS
SM
MD
LG