Ndërlidhjet

Çfarë ofron Google Glass?


"Zëri i Amerikës"

Gjiganti i internetit Google është duke provuar pajisjen e tij më të re, Google Glass, të cilën kompania e përshkruan si një kompjuter që vishet dhe që mund të revolucionarizojë mënyrën se si ne ndërveprojmë me njëri-tjetrin dhe me botën. Materiali në vazhdim na tregon se çfarë është kjo pajisje dhe se çfarë është në gjendje të bëjë.

Pjesa më e madhe e teknologjisë së Syzeve Google, apo Google Glass, është e pranishme tashmë tek telefonat inteligjentë. Por studiuesit e kompanisë Google menduan ta përdornin atë në një mënyrë krejtësisht të re. Chris Dale është administrator i lartë i komunikacionit për Google Glass.

"Google Glass është një kompjuter i vogël i vendosur në një skelet të lehtë syzesh dhe që qëndron mbi syrin tuaj, duke e bërë eksplorimin dhe ndarjen me të tjerët të botës rreth jush shumë më të lehtë."

Skeleti ka një ekran video të vogël dhe një kamera që lidhen me rrjetet wireless të internetit nëpërmjet një smartphone-i. Por çfarë mund të bësh me syzet Google?

"Është një pyetje prej një milion dollarësh."

Duke qenë të pasigurt se si Google Glass mund apo do të përdoret, ose mbi mënyrën se si njerëzit do të reagojnë ndaj saj, kompania Google vendosi të regjistrojë vullnetarë për ta provuar pajisjen e re. Qëllimi ishte i dyfishtë - të shihnin se çfarë mënyrash të reja njerëzit do të gjenin për ta përdorur atë dhe të tërhiqnin programues për të krijuar aplikacione të reja.

"Ne e shohim Google Glass dhe në përgjithësi kompjuterat që vishen si platformën e ardhshme të informatikës."

Chris Dale thotë se një person e përdor telefonin inteligjent mesatarisht rreth 150 herë në ditë dhe syzet Google e bëjnë këtë teknologji të disponueshme më me shpejtësi pasi i përgjigjen komandave zanore.

Pajisja ndizet me një prekje të njërës anë të skeletit. Kur ju thoni "Okay Glass" ekrani tregon një sërë opsionesh, duke përfshirë kërkimin në internet, bërjen e një fotoje, xhirim video, dërgimin e një mesazhi dhe kërkim për gjetjen e një adrese. Prekja me një gisht e skeletit lëviz menunë lart dhe poshtë.

Google Glass transmeton tinguj nëpërmjet dridhjeve ndaj kokës. Pajisja ka një kamera me rezolucion të mesëm - rreth 5 Megapixels - dhe imazhi i projektuar shihet si në ekranin e një iPhone-i.

Seth Rosenblatt, gazetar i CNET News, thotë se është interesante të jesh në gjendje të përdorësh internetin pa pasur gjë në dorë, por shton se mbajtja e pajisjes në publik tërheq shumë vëmendje.

"Ata kanë bërë diçka shumë interesante me teknologjinë, por aspekti i ndërveprimeve sociale nuk do të jetë diçka e lehtë për ta."

Zoti Rosenblatt thotë se potenciali i vërtetë i syzeve Google do të testohet nga publiku.

"Mendoj se prova e vërtetë për Google Glass do të jetë gjatë përdorimit nga publiku. Si do të reagojnë njerëzit e zakonshëm kur të jenë të detyruar të bashkëveprojnë me dikë duke veshur syzet Google?"

Kompania Google thotë se ende është duke e provuar kompjuterin që vishet, i cili punon me sistemin e tyre operativ Android dhe që pritet të dalë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ky material fillimisht u publikua në VOA.
XS
SM
MD
LG