Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Paralelizmat në politikë të jashtme


Flamuri i Maqedonisë

Flamuri i Maqedonisë

Partnerët e koalicionit qeveritar udhëheqin politikë paralele të jashtme.

Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike duke komentuar vizitën e djeshme në Bullgari të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të disa ministrave nga radhët e partisë së tij VMRO-DPMNE, por jo edhe të ministrave shqiptarë të BDI-së, si dhe seancën e përbashkët qeveritare që u mbajt kohë më parë në Beograd me ekzekutivin e Serbisë, ku po ashtu munguan ministrat shqiptar.

Këtë vlerësim ata e mbështesin edhe me faktin se në Bullgari para Gruevskit, qëndroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti së bashku me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi.

Vizita të tilla ndaras janë zhvilluar edhe në vende tjera ndërsa ministrat e BDI-së kanë vizituar edhe Greqinë, gjë që nuk ka ndodhur me ministrat e partisë së Gruevskit.

Ismet Ramadani, ish deputet dhe njohës i zhvillimeve ndërkombëtare thotë se kjo që po ndodhë me partnerët e koalicionit mund të përfundojë me ndarje me tyre.

“Kjo që po ndodhë me takimet e qeverive po e vërteton atë se partnerët e koalicionit në këtë qeveri dallohen në qëndrimet e tyre për shumë çështje. Kjo qeveri nuk mund t'i përmbush kërkesat edhe brenda për brenda shtetit, por edhe ajo që sugjerohet nga BE-ja. Krejt kjo na bën me dije se mund të ndodhë një ndarje midis këtyre dy partive, e para për shkak të mundësisë për daljen e BDI-së nga qeveria“, thotë Ramadani.

Ndërkohë, Nano Ruxhin, ish diplomat dhe profesor universitar thotë se politikat paralele të partnerëve të koalicionit qeveritar lënë përshtypjen edhe të ndonjë marrëveshje paraprake mes tyre për ndarjes fqinjëve varësisht gjuhës së përbashkët që mund të kenë për çështje të ndryshme.

“Është fakt se në raportet mes partnerëve të koalicionit në planin e jashtëm kemi veprime të ndryshme nga ana e tyre. Ali Ahmeti ka realizuar disa iniciativa në raport me fqiun jugor për krijimin e një atmosfere më të volitshme për çështjen e emrit, gjë që Gruevski nuk e ka bërë asnjëherë, por ai ka ndërmarrë nisma tjera duke vizituar shtete tjera si Bullgarinë dhe Serbinë, për të treguar para ndërkombëtaret se jo me të gjitha shtetet Maqedonia nuk qëndron mirë“, thotë Ruzhin.

Por, nga qeveria thonë se aktivitetet e fundit të qeverisë në asnjë mënyrë nuk duhet interpretuar si bërje të politikës paralele mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

Zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha thotë se ekzekutivi përbehet prej dy subjekteve politike, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, të cilat realizojnë programin e përbashkët qeveritar.

“Vizita e djeshme në Bullgarinë fqinje është një vizitë e rregullt e një delegacioni qeveritar. Edhe ajo që ishte më herët, pra me Serbinë, e cila për dallim nga ajo e djeshme ishte një seancë e përbashkët qeveritare, është një iniciativë e qeverisë së Maqedonisë, të cilën e mbështetë edhe BDI-ja".

"Bëhet fjalë për seanca të përbashkëta qeveritare të cilat qeveria e Maqedonisë planifikon ti zhvilloj me të gjitha shtetet e rajonit, edhe më Republikën e Shqipërisë, edhe më Republikën e Kosovës me qëllim të bisedohen projektet e përbashkëta, të bisedohet për perspektivën evropiane të shteteve të rajonit“, thotë zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.
XS
SM
MD
LG