Ndërlidhjet

logo-print
Mbajtja e zgjedhjeve lokale edhe në vëri të Kosovës, të cilat janë paralajmëruar për 3 nëntor, është çelës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, ndërkohë që për zhvillimin normal të këtyre zgjedhjeve është i nevojshëm një ambient i sigurt.

Politikanët serbë në veri të Kosovës, por edhe njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë se zhvillimi i procesit zgjedhorë në veri nuk do të cenohet dhe se nuk pritet ndonjë përkeqësim i situatës së sigurisë atje, e cila do të ndikonte në pjesëmarrjen e qytetarëve serb në zgjedhje.

Lideri i serbëve të veriut Marko Jakshiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se qytetarët serbë të veriut janë të orientuar kah demokracia dhe kah shprehja e lirë e vullnetit të tyre demokratik.

Dalja e serbëve në zgjedhje do të duhej të ishte e drejtë e tyre demokratike ashtu sikurse edhe mos dalja. Kështu që, sa i përket sigurisë, duke pasur parasysh traditën demokratike të popullit serb, mendoj se askush nuk do të ketë kurrfarë pasojash, nëse del në zgjedhjet që mbahen sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë Jakshiq.

Në anën tjetër, Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se serbët e veriut të Kosovës janë të dirigjuar nga Beogradi dhe në këtë drejtim janë të disiplinuar.

Mendoj se kjo marrëveshje që Serbia e ka arritur me Kosovën, do të ndikojë që ata (serbët e veriut) të marrin dritën e gjelbër ose kushtimisht, urdhrin nga Beogradi dhe do të dalin në zgjedhje. Unë nuk pres ndonjë problem, sa i përket sigurisë në veri e as në pjesët tjera të Kosovës. Mjafton dhe duhet trysnia e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtarë mbi qeverinë aktuale në Serbi, në mënyrë që ajo t’i përmbahet marrëveshjes dhe zbatimit të saj”, tha Maloku.

Shumica e liderëve serbë të veriut të Kosovës tashmë janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i organizojnë institucionet e Kosovës, duke u shprehur kundër këtyre zgjedhjeve dhe përgjithësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Jakshiq vlerëson se këto kundërshtime nuk do të krijojnë barriera psikologjike te serbët e veriut, të cilat do t’i bënin ata të ndjeheshin të pasigurt për të dalë në zgjedhje.

Sipas tij, nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, kjo do të ndodhë për arsye tashmë, sipas tij, të njohura.

“Njerëzit, tash kur kemi të bëjmë me zgjedhjet, orientohen vetë kah ajo se a kanë përfitim politik ose jo, që do të thotë, a do ta humbin lirinë serbët me daljen në zgjedhje lokale apo jo. Ajo që ne dimë është që nëse serbët në veri të Kosovës dalin në zgjedhjet lokale me regji të Prishtinës, thjeshtë, do ta humbin lirinë”, ka theksuar Jakshiq.

Por, Maloku vlerëson se dalja e serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk do të varet nga efektet psikologjike që mund t’i krijojnë liderët serbë të veriut, kryesisht ata që u takojnë partive opozitare në Serbi, por nga sinjalet që jep Beogradi zyrtarë.

Mendoj që shumica absolute e serbëve në Kosovë janë të ndikuar prej qeverisë në Serbi, prej politikës së saj zyrtare, në cilëndo kohë qoftë. Nuk pres ndonjë implikim të situatës atje ose sa i përket krijimit të efekteve psikologjike për të mos marrë pjesë shumica e serbëve në zgjedhje. Dilemat janë vetëm që politika zyrtare e Serbisë a do të jetë aktive në përmbushjen e obligimeve që i kanë marrë me këtë marrëveshje”, u shpreh Maloku.

Maloku ka theksuar se tashmë ekzistojnë sinjale se dalja e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit mund të jetë e madhe, ndërkohë që sipas tij, procesi zgjedhor atje pritet të kaloj i qetë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG