Ndërlidhjet

Qendra e paraburgimit në Hagë, nuk është burg i zakonshëm. Mosha mesatare e atyre qe mbahen brenda është mbi 60 vjeç. Njerëzit që mbahen aty janë të shkolluar dhe kanë më pak vepra kriminale të mëparshme sesa ndonjë i burgosur tjetër.

Që nga viti 1995 kjo qendër ka strehuar 141 individë të akuzuar për krime lufte gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi. Në këtë vend edhe vdiq ish-presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviq, dhe nga këto qeli figura tjera të luftës si Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq po bëjnë gati mbrojtjet e tyre.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë Rikard Jozwiak ka biseduar me oficerin komandues të njësisë së paraburgimit Fraser Gilmour, për atë se si duket jeta e përditshme e 26 të burgosurve, sa janë momentalisht në Sheveningen

RFE/RL: Si duket një ditë normale për dikë që është i paraburgosur në qendrën e Hagës?

Gilmour: Dyert u hapen në orën shtatë të mëngjesit. Kanë qasje të lirë gjatë tërë ditës në bllokun ku janë të vendosur, deri në orën 20h30 të mbrëmjes, kur mbyllen prapë. Gjatë kohës sa janë të lirë gjatë ditës, ata kanë qasje në hapësirat e përbashkëta të bllokut, ku kanë mundësinë bashkëveprojnë me njëri-tjetrin në dhomën e rekreacioneve. Mund edhe të gatuajnë nëse duan, edhe pse të burgosurve u servohet ushqim tri herë në ditë, por mund edhe të porosisin artikuj tjerë ushqimor. Kanë programe të ndryshme gjatë ditës, ku kanë mundësinë të dalin në ajër të pastër. Edhe pse në përgjithësi shumë prej tyre shpenzojnë shumicën e kohës duke u bërë gati për gjykimet që kanë.

RFE/RL: A munden të burgosurit të blejnë ushqim tradicional të Ballkanit, po deshën?

Gilmour: Mund të blejnë artikuj ushqimor që janë në dispozicion në shitoren e burgut, që përfshinë pemë dhe perime të freskëta, por edhe të konservuara, pije dhe gjëra të tilla. Por, kemi vënë edhe një alternativë tjetër që nëse duan mund të blejnë edhe nga një furnizues i Ballkanit, kështu që i bien se ua kemi siguruar një furnizues në Holandë që mund t’ua sjell specialitetet nga rajoni i tyre. Po ashtu kemi bërë aranzhmane nëse të burgosurit duan të porositin mish të freskët, por edhe peshk të freskët po deshën, kështu që kanë goxha një gamë të produkteve që mund të blejnë ose të gatuajnë për veten.

RFE/RL: Sa i kanë mëditjet të burgosurit?

Gilmour: Është një shumë e vogël e parave të cilat u jepen atyre për të mbuluar gjërat si komunikimin me familjet e tyre për shembull përmes blerjes së kartelave të telefonit me të cilat mund të mbajnë këto lidhje familjare, sepse ato janë shumë të rëndësishme për dikend që mbahet në një mjedis paraburgimi, posaçërisht për të burgosurit tanë marr parasysh distancën e lartën që kanë me miqtë dhe familjen. Është e rëndësishme në një mjedis të tillë, që të burgosurit të kontaktojnë me të afërmit, dhe rrjetet e tilla të mbështetjes të cilat do t’ju ofrojnë mbështetje gjatë kohës sa janë në burg dhe me shpresë, nëse dënohen ose nëse lirohen, prapë do të kenë mbështetje që t’i kthehen jetës normale, me më pak dëme në shoqërinë e tyre.

RFE/RL: Sa shpesh mund t’ju vijnë familja apo miqtë në vizitë?

Gilmour: Jemi goxha zemërgjerë në aspektin vizitave. Në vende dhe jurisdiksione të tjera nuk është e pazakonshme që një i paraburgosur ose i burgosur për këtë çështje të lejohet një maksimum, të themi, maksimum një orë vizitë në javë. Ne iu lejojmë deri në shtatë ditë vizita konsekutive brenda një periudhe 30 ditëshe. Kjo pasi marrim parasysh gjërat që i përmenda në lidhje me komunikimin dhe po ashtu distancën që familjet kanë për të udhëtuar deri këtu e për të vizituar të afërmin e tyre.

RFE/RL: A kanë qasje të burgosurit në TV, përfshirë kanale televizive nga Ballkani, a mund të përdorin internetin?

Gilmour: Ne i kemi ofruar secilit televizion në qeli. Po ashtu kemi edhe kanale televizive satelitore nga ish vendet e Jugosllavisë, nga të gjitha shtetet. Nuk ka qasje në internet. Por të burgosurve u japim në shfrytëzim kompjuter, por kjo kryesisht ka të bëjë me faktin se kjo është një gjykatë elektronike, dhe shumica e dokumenteve që ndërlidhen me rastet janë në formë digjitale, andaj është një mjet i nevojshëm për t’i ndihmuar ata në përgatitjen e mbrojtjes së tyre, sesa një mundësi për t’u shoqëruar në rrjetet sociale.

RFE/RL: Gjykata e Hagës dal nga dal po shuhet. Për sa gjatë planifikoni t’i strehoni të burgosurit në këtë qendër?

Gilmour: Aktualisht ne jemi në një fazë të ndryshimeve në Hagë. Në fakt jemi në fillim të MICT, ose Mekanizmit për Tribunalet Ndërkombëtare Penale, dhe MICT do të merr përsipër punën e Gjykatës së Hagës, derisa kjo gjë po ecën para, por edhe punën e ICTY, që është Gjykata për Krime Lufte në Ruandë, në mënyrë që të vazhdojmë procesin e punës i cili është ndërmarr nga Gjykata e Hagës.
Pra MICT, do të jetë përgjegjëse për zbatimin e të gjitha dënimeve, kështu që qysh tani ne kemi disa të dënuar brenda njësisë sonë – në fakt katër prej tyre, të cilët janë nën kujdestarinë e MICT.

Ne jemi vetëm një institucion i paraburgimit, që do të thotë se ne vetëm kujdesemi për ata që janë para gjykimit, ose në fazën e apelit, andaj meqë po i afrohemi kohës së mbylljes së tribunalit, të gjithë të dënuarit do të largohen për të shërbyer burgun në vende të treta. Tribunali ka momentalisht marrëveshje me një numër të shteteve brenda Evropës, dhe të gjithë prej tyre janë të gatshëm që të zbatojnë marrëveshjen që është rafitikuar nga MICT.

Përgatiti: Fatmir Aliu

Trego komentet

XS
SM
MD
LG