Ndërlidhjet

OSBE me rol më të madh në zgjedhjet lokale


Zgjedhje në Kosovë, foto nga arkivi
Zgjedhje në Kosovë, foto nga arkivi
Tashmë është e qartë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), do të ndihmojë dhe në veri do të organizojë zgjedhjet lokale të cilat janë paraparë të mbahen më 3 nëntor. Këtë e ka konfirmuar vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e fundit të qeverisë javën e kaluar.

“OSBE-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në përputhshmëri me kërkesën tonë që të lehtësojë dhe organizojë zgjedhjet në veri ku do të jenë edhe përfaqësuesit e KQZ-së, së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi, dhe ka shprehur bindjen se zgjedhjet e nëntorit do të jenë të suksesshme pasi në to siç tha ai po të marrin pjesë të gjitha komunitetet.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se përderisa organizimi i zgjedhjeve në veri tashmë është i sigurt, pikëpyetje mbetet nëse do të arrihet një klimë pozitive dhe gatishmëri e qytetarëve serbë atje për të marrë pjesë në zgjedhje.

Subjektet politike nga komunat veriore deri më tani, nuk kanë shprehur interesim për pjesëmarrje në zgjedhje, mirëpo sipas informacioneve që qarkullojnë, besohet se ky komunitet i koordinuar edhe nga Beogradi, do të garojë me një listë të përbashkët qytetare në zgjedhjet e ardhshme komunale në veri.

Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, ka deklaruar se roli i OSBE-së në zgjedhjet e 3 nëntorit do të jetë më shumë së ndihmues.

Ajo që e dimë është se zgjedhjet mbahen me ligjet e Kosovës. Tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, veç ka zgjedhur komisionet komunale. Me siguri se OSBE, do të ushtrojë një funksion më shumë se të lehtësuesit, ta quaj ashtu – për lehtësues e ka përgjegjësinë”, tha Haradinaj pas një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Qendrën për Parandalimin e Konflikteve, Pascal Heyman, ku është biseduar kryesisht për zgjedhjet e tre nëntorit në veri.

Por, profesori Mazllum Baraliu, ish-kryeshef Ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, organizimi i zgjedhjeve në veri nga OSBE-ja, e sheh si diçka normale në rast se nuk cenohen dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.

“Sa i takon rolit të OSBE-së, nuk kemi informacione të plota, por sipas të gjitha informacioneve ose gjasave, ai po rezulton që të jetë më tepër se sa rol konsultues. Nuk shoh ndonjë rrezik dhe ndonjë dëm për faktin që OSEB-ja, po e luan një rol ndërmjetësues dhe lehtësues në ketë proces”, tha Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në njoftimet e disa mediave vendore në Kosovë, është thënë se serbët kanë kërkuar që fletëvotimet për atë pjesë të Kosovës të dallojnë nga fletëvotimet nëpër komuna tjera të Kosovës.

Lidhur me ketë çështje kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se në këtë drejtim duhet të gjendet një zgjidhje.

“Duhet të gjendet një zgjidhje kreative për t’u mbajtur zgjedhjet, janë të parat. Ju e dini që më përpara kemi mbajtur zgjedhje në Kosovë kur OSBE-ja na ka ndihmuar ose e ka mbajtur për ne edhe me shenja dallues të tjera, por tani i mban Kosova, mendimi është i njëjtë edhe në veri”, tha Haradinaj.

Angazhimi i OSBE-së në procesin e zgjedhjeve të sivjetme lokale në Kosovë mbështetet në marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë - Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja.
XS
SM
MD
LG