Ndërlidhjet

Mungesë përfshirjeje e gruas në procesin zgjedhor


Ilustrim
Ilustrim
Përfshirja e plotë e gruas në procesin zgjedhor mungon. Kjo u tha të martën në një konferencë për media të organizuar nga Demokracia në Veprim, organizatë kjo që promovon zgjedhje të lira dhe demokratike.

Shqipe Gjocaj, projekt-menaxhere në Institutin Demokratik të Kosovës, ka deklaruar se vitet e kaluara janë shoqëruar me parregullsi të shumta në kontekstin gjinor, sikurse prania e theksuar e votimit familjar, përqindja tejet e ulët e grave si komisionere apo anëtare të komisioneve komunale të zgjedhjeve, si vëzhguese e zgjedhjeve apo edhe si vetëvotuese.

"KQZ si institucion shtetëror, përgjegjës për menaxhimin dhe organizimin e procesit zgjedhor, edhe pse në të tre proceset zgjedhore të vitit 2009, 2010 dhe 2013, udhëhiqet nga një femër, në përbërjen e saj nuk ka asnjë femër. Partitë politike të cilat i delegojnë përfaqësuesit në këtë institucion, asnjëherë nuk e kanë deleguar asnjë femër, përfshirë edhe dy subjektet më të mëdha politike që ndonjëherë janë përfaqësuar edhe me dy anëtarë"
.

"KQZ-ja është në fazën finale të emërtimit të KKZ-ve dhe deri më tani janë emërtuar vetëm 280 prej tyre ku prej këtij numri 253 janë meshkuj dhe 27 janë femra. Nga kjo del se dallimi në përqindje mes femrave dhe meshkujve është 90 për qind meshkuj dhe 10 për qind femra", tha Gjocaj.

Sipas zonjës Gjocaj, fakti që një grua vjen e shoqëruar nga burri i saj, babai apo vëllai dhe e dirigjon atë se kujt duhet ajo grua t’ia japë votën, është fenomen lehtë i identifikuar nga vëzhguesit zgjedhorë, por jo i kundërshtuar nga komisionerët në vendvotim.

Ajo shtoi se në një gjendje të tillë ku mungon kontrolli dhe rendi lë të kuptohet që ky fenomen i njohur si votim familjar duhet të pengohet në vendvotim.

Derisa Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se prej 11 anëtarëve të KQZ-së ajo është e vetmja kryetare dhe anëtare femër, por që nuk është e nominuar nga subjektet politike, por nga gjyqësori, saktësisht nga Gjykata Supreme, përndryshe po të kish qenë e mundur të nominohet nga subjektet politike siç thotë ajo sigurisht që kishte me qenë ndonjë mashkull në vendin e saj.

"Duke u bazuar në ligjin aktual e që ligji parasheh të i dërgojnë kandidatët në atë shifrën magjike prej 30 për qind sepse është e obligueshme sepse po mos të ish e obligueshme me ligj, nuk do t'i dërgonin as 10 për qind".

"Mirëpo asnjëherë nuk kam pa ndonjë listë të kandidatëve që ndonjë listë ka pasur dy femra dhe një mashkull. Pra shihet se këtë e bëjnë vetëm pse e kanë obligim dhe kjo tregon se sa partitë politike janë të përkushtuar për këtë çështje", u shpreh Daka.

E Safete Hadergjonaj, përfaqësuese e gruas demokratike të Kosovës në Partinë Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se nëse subjekti politik nuk e sheh femrën si vlerë, atëherë nuk mund të mendojnë se mund të ketë një pjesëmarrje të madhe të femrave nëpër institucione apo organe vendimmarrëse të shtetit.

"Mendoj se që për të qenë në pozita të caktuara vendimmarrëse e që mendoj se femra ka një rol shumë të madh në procesin e vendimmarrjes dhe në proceset demokratike në përgjithësi është me rëndësi që femra të mbështetet nga vetë subjekti politik. Unë mendoj se femra e luan një rol të madh në institucione shtetërore, por ajo që dua të theksoj është se fuqizimi i femrës brenda strukturave të partisë ka një rol të veçantë".

Edhe pse Kosova ka një presidente dhe gra të fuqishme që shërbejnë si ministre dhe deputete, ndryshe është gjendja në disa struktura qeveritare në nivele lokale.

Në konferencë është theksuar se asnjë grua momentalisht nuk është udhëheqëse e ndonjë dege partie e Kosova po ashtu nuk ka zgjedhur asnjë kryetare komune.
XS
SM
MD
LG