Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji për media përçan gazetarët


Ilustrim

Ilustrim

Me vetë faktin se gazetarët të cilët vijnë nga mediat pro qeveritare janë vënë kryekëput në mbrojtje të ligjit që rregullon punën e mediave, ndërkohë që Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka ndezur alarmin se përmes këtij Ligji, i merret dhe fryma e fundit fjalës së lirë.

Kështu theksojnë ekspertët e mediave, duke komentuar ndasitë e shfaqura në mesin e gazetarëve gjatë debatit të parë publik në parlamentin e Maqedonisë lidhur me ligjin që rregullon punën e mediave.

Opinionet e ndryshme kanë të bëjnë më tepër me faktin se gazetarët varësisht se nga cilat media vijnë, a janë ato pro-qeveritare ose janë më kritike, ky fakt mjafton të konstatosh se disa nga opinionet e shprehura vinë nga gazetarë të cilët mbrojnë politikat e qeverisë aq hapur".

"Por ajo që është më shqetësuese, është fakti se po të njëjtit gazetarë kur shprehen intimisht kanë opinione krejtësisht të tjera kur bëhet fjalë për çështjen e lirisë së shprehjes, dhe kur duhet të flasin publikisht janë të detyruar të mbërrijnë linjat e diktuara nga shefat e tyre”, thekson Nazim Rashiti, ligjërues në fakultetin e gazetarisë në USHT

Ndërkohë, Gordana Siljanovska, eksperte, numëron tre arsye që kanë çuar në përçarjen e gazetarëve sa i përket Ligjit që rregullon punën e mediave.

Ndasitë mes gazetarëve të cilat janë më se evidente dhe dje i pamë edhe në ekranet televizive gjatë transmetimit të punës së parlamentit. Nën një, mund të jetë si rrjedhojë e asaj se një pjesë e gazetarëve nuk pranojnë që përmes ligjit të rregullohet puna dhe funksionimi i mediave në vend, ky pra mund të jetë dimensioni i parë".

"Si dimension i dytë që çon në përçarjen e gazetarëve mund të jetë ajo se me këtë dëshmohet se edhe në mesin e gazetarëve mbisundojnë para së gjithash interesat politike, dhe arsyetim i tretë mund të jetë se përmes mediave thyhen shtizat mes biznes lobeve, të cilët njëherësh janë dhe pronarë të mediave dhe të njëjtit për të mbijetuar duhet t`i shkojnë për shtat politikave pro-qeveitare”, shprehet Silkanovska.

Gjersa Nazim Rashiti, ligjërues në fakultetin e gazetarisë në USHT e quan tendencë të dështuar synimin e qeverisë për të mbledhur përkrahës rreth ligjit për media kundrejt syve të përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët monitorojnë gjendjen faktike sa i përket progresit të vendit në lëmi të caktuara, përfshi këtu dhe lirinë e shprehjes.

“Kjo edhe mund të jetë një tendencë e qeverisë, por organizatat e ndryshme ndërkombëtare të cilat e kanë bërë analizën e ligjit e kanë thënë shumë qartë se ai është problematik. Disa nene të ligjit do të duhet të ndryshohen dhe për këtë nuk ka aspak dilemë", thekson Rashiti.

Ndryshe, të martën në parlament është diskutuar rreth ligjit që rregullon punën e mediave, përderisa ministri i Informatikës, Ivo Ivanovski ka theksuar se me këtë ligj synohet të vendosen rregulla që do të garantojnë lirinë e shprehjes.

Njëkohësisht këto qëndrime i ka mbrojtur edhe një pjesë e gazetarëve.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka theksuar se me këtë formë siç është i hartuar ligji, Maqedonia hyn në fazën më të errët sa i përket lirisë së mediave, duke u ranguar me vendet ku nuk ka fare liri të mediave.
XS
SM
MD
LG