Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Nismë e diskutueshme e BDI-së?


Pamje nga Shkupi...

Pamje nga Shkupi...

Letra e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dërguar 35 personaliteteve ndërkombëtare që kanë kontribuar në Maqedoni dhe në rajon pas vitit 2001, me kërkesën për ndërhyrjen e tyre në zgjidhjen e çështjes së emrit, komentohet në forma të ndryshme nga njohësit e zhvillimeve politike dhe nga disa partitë e koalicionit partiak të VMRO-DPMNE-së.

Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike nga koalicioni qeveritar maqedonas thotë se për zgjidhjen e çështjes së emrit mund të ndihmojë edhe BDI-ja, por ai tërheq vërejtjen se kur bëhet fjalë për gjenezën maqedonase, apo çështjet që kanë të bëjnë me maqedonasit, vendosin vetëm maqedonasit.

Për çështjet e maqedonasve para së gjithash vendosin maqedonasit, por nuk përjashtohen edhe qytetarët tjetër si shqiptarët, turqit, romët, serbët e kështu me radhë. Por, këtu kemi të bëjmë me identitetin tonë, gjuhën, kulturën, historinë dhe për këto vendosin maqedonasit ashtu siç vendosin serbët dhe shqiptarët për çështjet e tyre”, thotë Trajanov, një nga liderët e partive maqedonase në koalicion me partinë e Gruevskit.

Ndërkohë, duke folur për lëvizjet e fundit të Ahmetit, analisti Xhelal Neziri thotë se BDI-ja ka legjitimitetin e shqiptarëve i cili e obligon që të ndërmerr hapa më serioz në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit integrim, por Neziri nuk beson se këto aktivitete do të rezultojnë me sukses.

”Ai si lider i një partie duhet që në takimet drejtpërdrejta dhe në kuadër të politikave të brendshme të Maqedonisë të mundohet që të bëjë presion dhe të detyroj Gruevskin që të pranojë zgjidhjen e çështjes së emrit. Pra, problemi kryesor është Gruevski, dhe nuk duhet kërkuar as në në SHBA, as në Bullgari e gjetiu nëpër Evropë dhe rajon, por është aty ku BDI-ja përfaqëson shqiptarët, pra në ekzekutivin e vendit”, thotë Neziri.

Ai shton se politikat aktuale të partnerëve të koalicionit, ajo e BDI-së për presione ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së emrit, dhe tjetra e VMRO-së për mos ndryshimin e emrit me asnjë çmim, do të reflektohet në raportet e tyre qeveritare.

Që kjo të mos ndodhë, Neziri thotë se dy partitë duhet të bisedojnë ndërsa çdo përpjekje për të formuar një qeveri apo shumicë të re parlamentare, sipas tij, do të ndërlikonte edhe më shumë situatën.

“Nëse mendohet të bëhet një shumicë tjetër parlamentare pa VMRO-DPMNE-në, kjo do të ishte destabilizuese për Maqedoninë, pasi një VMRO e fuqishme tek maqedonasit shumë lehtë do të krijonte probleme dhe trazira brenda kampit polik maqedon”, shprehet Neziri.

Analisti Sasho Klekovski thotë se presionet e BDI-së nuk do të japin rezultat për faktin se Gruevski njihet si person që në asnjë mënyrë nuk i nënshtrohet shantazheve apo presioneve që vijnë nga partitë tjera.

“Presion nuk bëhet në këtë mënyrë, në veçanti jo me deklarimin se marrëveshja përfshin ndryshimin e emrit kushtetues. Politikanët serioz nuk duhet sillen në këtë mënyrë se nëse nuk ndodhë kjo do të paraqiten probleme serioze pasi dihet se VMRO-DPMNE shumë vështirë reagon ndaj shantazheve të tilla andaj duhet kërkuar metoda tjera të veprimit për çështjen e emrit”, thotë analisti Sasho Klekovski.

Ndërkohë, vetë kryeministri Gruevski në prononcimin e fundit edhe njëherë ka bërë qartë me dije se çfarë do propozimi që të dilte nga negociatat eventuale të drejtpërdrejta me palën greke, patjetër që fjalën e fundit për të do ta kenë qytetarët në referendum.

Emri është i popullit dhe vetëm ai ka të drejtë të vendos për të, ka deklaruar Gruevski.
XS
SM
MD
LG