Ndërlidhjet

Kongresi amerikan shton sanksionet kundër Iranit


Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ka miratuar një ligj për t’i imponuar sanksione të reja Iranit.

Kjo lëvizje e kongresit vjen vetëm pak ditë para se presidenti i ri i republikës islamike Hassan Ruhani të merr detyrën.

Katërqind ligjvënës votuan pro, kundrejt 2 kundër këtij ligji të mërkurën mbrëma, me të cilin do t’i ndalohet eksporti i naftës Iranit për miliona barel, ndërsa synon që t’ia ndal në tërësi eksportin e arit të zi deri në fund të vitit 2015.

Ky ligj po ashtu nënkupton se të gjitha bizneset e përfshira në sektorin e minierave dhe të ndërtimeve në Iran, të futen në listën e zezë, ndërsa parasheh edhe penalizimin e atyre kompanive në vendet e treta të botës që nuk gjejnë rrugë alternative të furnizimit me naftë.

Sanksionet kanë për qëllim që ta bindin Iranin të ndërpres programin bërthamor në zhvillim e sipër, të cilin disa shtete, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara besojnë se ka për qëllim që të prodhoj armë bërthamore.

Mirëpo, Irani këmbëngul se programi i saj bërthamor është krejtësisht për qëllime civile.

Senati Amerikan do të shtjellojë këtë ligj gjatë muajit shtator.

Para se Dhoma e Përfaqësuesve të miratoj ligjin, disa kongresist argumentonin se masat sanksionuese janë sjell në një kohë të keqe, pasi ato po ndërmerren pikërisht para inaugurimit të Hassan Rohani si president i shtetit, këtë të diele.

Rohani është ish-kryenegociator iranian për programin bërthamor të shtetit, ndërsa shihet si politikan më i moderuar sesa paraardhësi i tij Mahmood Ahmedinejad.

Kongresisti demokrat Jim McDermott, i cili votoi kundër sanksioneve të shtuara për Iranin, thotë se ky ligj munde të minojë përpjekjet e Shteteve të Bashkaura për të zgjidhur çështjen bërthamore me Iranin, përmes diplomacisë.

"Ekspertët dhe ushtarakët, përfshirë edhe shefin e Komandës Qendrore [të ushtrisë] paralajmërojnë se më shumë sanksione, në këtë moment, mund të godisin rëndë presidentin e ri dhe planet e tij të moderuara. Kjo më shumë i jap municion ekstremistëve të cilët veprojnë kundër tij, andaj koha kur ky ligj po miratohet nuk mund të jetë më e keqe, nga perspektiva e diplomacisë”, tha kongresisti McDermott.

Por të tjerët si republikani Ted Poe, thonë se pushtetin e vërtetë në Iran e mban lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei, e jo presidenti.

"Ky i ashtuquajtur president i Iranit, nuk dallon shumë nga Ahmedinejad. Rohani nuk është i moderuar, ai është veç më i shkathët. Ai ka gënjyer edhe në të kaluarën Shtetet e Bashkuara, andaj mos të mashtroheni, sepse ai nuk është përgjegjës në Iran. Është Ayatollahu, ai i cili edhe zgjedh kandidatët presidencial. Ayatollahu tërheq këmbëzen atje, dhe ai është i përkushtuar që të prodhojë armë bërthamore dhe të eliminojë Izraelin e Shtetet e Bashkuara”, tha kongresisti republikan Ted Poe.

Konsumatorët më të mëdhenj të naftës iraniane janë Kina, India, Japonia dhe Koreja e Jugut. Për ato shtete të cilat nuk ndalin importin e naftës nga Iranit, legjislacioni amerikan parasheh penalizime.

Analistët thonë se masat e reja rrezikojnë të ngritin çmimet botërore të naftës, duke vështirësuar edhe më shumë krizën globale ekonomike.

Shtëpia e Bardhë konsideron se administrata nuk kundërshton sanksionet e reja në parim, por se dëshiron që t’i jap një mundësi diplomacisë.

Akti i Parandalimit të Iranit Bërthamor, do të kufizojë edhe më shumë qasjen e qeverisë iraniane në rezervat e parasë së huaj, ndërsa penalizon kompanitë të cilat ndihmojnë Iranin t’i shmanget sanksioneve ndërkombëtare në sektorët tjerë industrial.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG