Ndërlidhjet

Washingtoni po shqyrton anulimin e samitit Obama - Putin


Shtëpia e Bardhë në Washington

Shtëpia e Bardhë në Washington

Ish-analisti i Inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka dalë si person i lirë në Rusi të premten, pasi autoritetet federale të këtij shteti ia aprovuan azilin për një vit.

Në Washington, Shtëpia e Bardhë ka thënë se është jashtëzakonisht e zhgënjyer me vendimin rus.

Zëdhënësi Jay Carney ka thënë se Shtëpia e Bardhë është duke e vlerësuar nëse një samit i planifikuar që të mbahet në vjeshtë me presidentin amerikan dhe atë rus, Barack Obama dhe Vladimir Putin duhet të mbahet apo jo.

Ndërkaq, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, e ka sqaruar deklaratën e Carneyt para gazetarëve në Washington.

"Ne kemi një agjendë të gjerë që e bisedojmë me qeverinë ruse. Ka çështje ku ne punojmë së bashku, siç e dini, Afganistanin, sanksionet kundër Iranit dhe tema të tjera. Por, ka raste kur ne nuk pajtohemi aspak. Unë mendoj se veprimi i sotëm, siç kanë thënë kolegët e mi në Shtëpinë e Bardhë, është jashtëzakonisht zhgënjyes. Dhe kështu, përderisa ata e kanë ndërmarrë këtë veprim, ne detyrohemi që të vlerësojmë se ku qëndron kjo marrëdhënie e jona dhe nëse samiti ka kuptim të mbahet”, ka thënë Harf.

Harf, gjithashtu, ka thënë që zyrtarët amerikanë nuk kanë qenë të informuar për vendimin rus që Snowden t’i aprovohet kërkesa për azil.

Avokati i Snowdenit, Anatoly Kucharena, ka thënë të enjten se ish-kontraktori i Inteligjencës amerikane është larguar nga zona transite e aeroportit të Moskës dhe ka hyrë në Rusi.

Avokati nuk e ka zbuluar vendin se ku është dërguar Snowden me arsyetimin se ai është personi më i kërkuar në botë dhe për këtë do të ishte shumë e rrezikshme të flitej për lokacionin e tij.

Washingtoni e kërkon ekstradimin e Edward Snowdenit nga Rusia që më pas ta përballë me drejtësinë amerikane për spiunazh, pasi ai iu ka dhënë gazetarëve informacione rreth masës së madhe të programeve të vëzhgimit amerikan të internetit dhe telefonatave.
XS
SM
MD
LG