Ndërlidhjet

logo-print

Azili i Snowdenit ftoh raportet SHBA-Rusi

  • RFE /RL

“Kur isha i ulur në tavolinën time, sigurisht se kisha autoritet që të përgjoj këdo, përfshirë edhe ty, një gjyqtar federal, apo edhe presidentin e shtetit nëse do të kisha e-mailin e tij personal”.

Kjo deklaratë e Edward Snowdenit, e bërë para tetë javësh, kishte ngritur në këmbë opinionin amerikan, dhe jo veç ata, pasi zbulimet që bëri Snowden kur u dorëzoi disa mediave dokumente të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Amerikane (NSA), dhe sqaroi për programet e saj të përgjimit, pati efekt global.

Pas 10 qershorit, nisën edhe telashet e tij.

Ai u largua nga Hong-Kongu, në përpjekje për të ikur në disa vende të Amerikës Latine, të cilat i ofruan strehim, për t’i ikur përndjekjes së organeve amerikane.

Por, 30-vjeçari mbeti i ngujuar me javë të tëra në Aeroportin e Moskës, deri të enjten, kur autoritetet ruse i aprovuan atij kërkesën për azil të përkohshëm.

Pasi u shkaktoi disa javë siklet shërbimeve inteligjente amerikane, Edward Snowden ec i lirë të premten nëpër Rusi, dhe atë gjë mund ta bëjë për një vit të tërë, sa i është lejuar azili në këtë shtet.

Por, asgjë më nuk është njëjtë si më parë, në raportet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pasi ky veprim i Moskës, shkaktoi zhgënjim të jashtëzakonshëm në Uashington.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, njoftoi se samiti i planifikuar në vjeshtë ndërmjet presidentit Barack Obama dhe Vlladimir Putin, është vënë në pikëpyetje.

Por, kjo duket se nuk është e vetmja gjë, që mund të tensionojë tutje raportet ndërmjet dy superfuqive.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, Marie Harf, tregoi se azili që i dhanë rusët hakerit amerikan, bart edhe pasoja të tjera.

"Ne kemi një agjendë të gjerë të bisedimeve me qeverinë ruse. Ka çështje, në të cilat punojmë bashkërisht, siç e dini: Afganistani, sanksionet ndaj Iranit, dhe gjërat tjera. Po, ka raste kur ne nuk pajtohemi. Por, mendoj se veprimet e sotme, siç e përshkruan kolegët e mi në Shtëpinë e Bardhë, ishin jashtëzakonisht zhgënjyese. Andaj, në saje të këtij fakti, që ata (Rusia) ndërmorën veprime të tilla, ne na detyron që të vlerësojmë se ku mbesin marrëdhëniet tona, dhe nëse ky samit ka fare kuptim”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf.

Sipas saj, zyrtarët amerikanë nuk ishin të njoftuar paraprakisht për vendimin e Rusisë që t’i dhurojë Snowden azilin.

Harf shtoi edhe se Uashingtoni dhe Moska duhet të vazhdojnë të punojnë bashkërisht në çështjet ku kanë interes të dy shtetet.

“Mendoj se ne dhe presidenti Putin, ishim shumë të qartë se nuk duam që kjo çështje të ndikojë negativisht në raportet tona të gjera, sepse ka vende ku ne bashkëpunojmë, përfshirë Afganistanin, sanksionet kundër Iranit, dhe reduktimi i arsenalit bërthamor. Andaj, të dyja palët ishim shumë të qartë se kjo gjë është një shembull që duam të trajtojmë ndaras, se nuk duam që Snowden të ndikojë në raportet tona. Marrë parasysh këtë që thashë, më duhet të them se ky hap (i Rusisë) është shumë zhgënjyes”, shtoi ajo.

Në një deklaratë për shtyp të postuar në portalin e Wikileaks, Snowden ka falënderuar Federatën Ruse për azilin e dhënë, ndërsa ka akuzuar administratën amerikane se ka treguar “jo-respekt” për të drejtën ndërkombëtare.

Avokati i tij rus, Anatoly Kucherena, tha se Snowden është brenda territorit të Rusisë, ndërsa refuzoi të tregojë se në cilin vend po fshihet.

Pas një viti, kur i skadon afati i azilit të përkohshëm, Snowden ka të drejtë ligjore të kërkojë edhe nënshtetësinë ruse.

Shtetet e Bashkuara megjithatë këmbëngulin që Rusia të ekstradojë Snowdenin, sepse atë e pret gjykimi për spiunim, pasi ka bërë publike dokumente sekrete shtetërore për programet e mbikëqyrjes.

Sido që të jetë, me largimin e tij nga aeroporti Shemeretovo në Moskë, Edward Snowden edhe zyrtarisht është bërë njeriu më i kërkuar në botë.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG