Ndërlidhjet

Kerry paralajmëron ndalimin e sulmeve të aeroplanëve pa pilot


Një nga aeroplanët amerikan pa pilot
Një nga aeroplanët amerikan pa pilot
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka thënë se sulmet me aeroplanë pa pilot kundër militantëve në Pakistan do të përfundojnë “shumë, shumë shpejtë”.

Kerry, duke folur për një televizion pakistanez mbrëmjen e së enjtës, ka thënë se programi i Washingtonit me aeroplanë të tillë “do të përfundojë atëherë kur ne kemi eliminuar pjesën më të madhe të kërcënimit”.

“Ne jemi shumë mirënjohës ndaj popullit të Pakistanit, ne jemi shumë mirënjohës për qeverinë dhe i kuptojmë ndjenjat e fuqishme rreth përpjekjeve tona. Mirëpo Pakistani tani përballet me rreziqe shumë serioze si Lashkar e Taiba, Tehrik e Taliban, Al Kaeda, rrjetin Haqqani…këta hedhin në erë njerëz nëpër xhami, këta hedhin në erë njerëz në treg”, ka thënë Kerry.

Deklarata e Kerrit u bë pasi ai ju tha gazetarëve në Islamabad të enjtën se SHBA-të dhe Pakistani janë duke punuar që të heqin “irrituesit” në marrëdhëniet e tyre.

Kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, i cili është takuar me Kerrin, ka kërkuar që sulmet me aeroplanë pa pilotë të përfundojnë pasi ato e shkelin sovranitetin e Pakistanit.

Komentet e Kerrit kanë shkuar përtej asaj që e kishte thënë presidenti Barack Obama, i cili në maj kishte deklaruar se nevoja për sulmet me aeroplanë të tillë do të zvogëlohej në “teatrin e luftës afgane” derisa forcat amerikane tërhiqen nga Afganistani vitin e ardhshëm.

Obama nuk kishte thënë se sulmet me aeroplanë pa pilotë do të ndalohen.
XS
SM
MD
LG