Ndërlidhjet

logo-print

Pickimi nga rriqrat, viti më tragjik në Malishevë


Ilustrim

Ilustrim

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka vdekur edhe një pacient nga ethet hemorragjike, krime kongo. Personi që ka vdekur është nga komuna e Malishevës.

Prej vitit 2002, e deri sot kanë vdekur 18 persona vetëm nga kjo komunë, derisa këtë vit është shënuar rasti i 5-të i vdekjes nga ethet hemorragjike në Komunën e Malishevës.

Ndryshe, këtë vit në Kosovë janë raportuar 4715 raste të pickimeve nga rriqrat, 148 raste të dyshimta me ethe hemorragjike, derisa 23 raste kanë rezultuar pozitive, kurse 9 persona kanë përfunduar me vdekje.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një konferencë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se institucioni që ai udhëheq nuk është hallka e parë e parandalimit të etheve hemorragjike, ngase kjo i takon Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Bujqësisë. Ai bëri me dije se virusi krime kongo është rezistent ndaj dezinfektimit.

“Virusi, i cili e shkakton këtë sëmundje, është vdekjeprurës dhe nuk ka bar kauzal, nuk mund të shkatërrohet me asnjë preparat. Bartësi i këtij virusi është tejet rezistent ndaj procedurave të shkatërrimit, insekt ky i cili lavrat e tij i depërton thellë nën tokë dhe është shumë e vështirë të shkatërrohet”.

“Qeveria e Kosovës është ballafaquar në mënyrë institucionale me këtë problem qysh në vitin 2007, kur edhe e ka themeluar grupin për ballafaqimin me ethe hemorragjike në vend dhe ky plan është elaboruar nga ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ballafaqimi me këtë problem nuk është ekskluzivisht i Ministrisë së Shëndetësisë, madje ne merremi me problemin pasi që sëmundje paraqitet, pra në fazën e dytë”,
u shpreh Agani.

E, kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, bëri të ditur se këtë vit janë bërë 2313 intervenime nga ana e mjekëve në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Malishevës dhe se, sipas tij, njerëzit janë vetëdijesuar prej rrezikut nga rriqrat.

“Fatkeqësisht, 18 raste kanë përfunduar me fatalitet nga viti 2002 vetëm nga Komuna e Malishevës deri sot, derisa këtë vit 5 persona kanë vdekur, që është viti më tragjik me numër. Çështja është që nuk mjafton vetëm vetëdijesimi, sepse kemi një pjesë të popullatës që nuk i merr informatat për arsye të ndryshme. Duhet të merren ekspertët më seriozisht për luftimin e kësaj sëmundjeje, pasi që është sëmundje që ka filluar të përhapet në Kosovë”, tha Kilaj.

Ndërsa, drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, tha se INKSH vazhdimisht është duke e përcjellë situatën epidemiologjike në terren:

“Këtë vit janë raportuar 4715 raste të pickimeve nga rriqrat, 148 të dyshimta me ethe hemorragjike, pozitive 23 raste derisa 9 kanë përfunduar me vdekje. Pra, Instituti edhe një herë vëmendjen e përqendron në pastërtinë dhe kujdesin maksimal ndaj kafshëve si burim rezervar i infeksioneve. Është përgjegjësi e familjarëve të mbajnë pastërtinë e kafshëve dhe stallave me qëllim të zvogëlimit të kontaktit me njeriun, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i pickimit nga rriqrat”.

E, Bajram Imeri nga Këshilli Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e etheve krime kongo, tha se Ministria e Bujqësisë do të fillojë nga java e ardhshme spërkatjen në zonat e rrezikuara dhe natyrisht do të konsultohen edhe me ekspertë ndërkombëtarë.

“Pas 10 ditësh do të fillojë spërkatja e dytë në parcelat që mendojmë që janë të rrezikuara. Kjo do të bëhet me kamioneta. Para se të fillojë spërkatja, në kontakt me kompaninë, do të vijë një ekspert nga Amerika dhe ndoshta gjatë gjithë kohës sa do të bëhet spërkatja, ai do të qëndrojë këtu dhe do t’i vetëdijesojë qytetarët për këtë sëmundje”, bëri të ditur Imeri.
XS
SM
MD
LG