Ndërlidhjet

Vuçiq, më i fuqishmi në Serbi


Aleksandar Vuçiq
Aleksandar Vuçiq
Bazuar në popullaritetin që sot e gëzon, Aleksandar Vuçiq i takon rangut, të cilin dikur e kishin arritur vetëm Sllobodan Millosheviq dhe Vojisllav Koshtunica, si dhe Boris Tadiq në një periudhë.

Kjo, sipas hulumtuesve të opinionit, është e dukshme duke u bazuar në disa tregues të ndryshëm, sikurse është fakti se sa e çmojnë qytetarët atë, si e kryen ai punën e tij dhe kujt i besojnë qytetarët më shumë.

Ajo me çka ata e ndërlidhin Vuçiqin, është lufta kundër korrupsionit, të cilën ai e ka filluar. Pastaj, me përfshirjen e tij në bisedimet në Bruksel, me Prishtinën është arritur marrëveshja, pas së cilës pasoi vendimi i Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Nuk duhet harruar as dëshpërimin e votuesve gjatë qeverisjes së kaluar të udhëhequr nga Boris Tadiq, të cilët nuk patën guximin të sillnin vendime vendimtare.

Marko Blagojeviq, nga Qendra për zgjedhje të lira dhe demokraci (CESID) thotë se mënyra, me të cilën Aleksandar Vuçiq ka nisur dhe udhëhequr luftën kundër korrupsionit, është ajo që kryesisht e sqaron popullaritetin e tij, ndërkohë që vetëm pak vjet më parë, madje deri në hyrjen e tij në qeveri, ka qenë larg nga të qenët i popullarizuar si politikan.

”Njerëzit për një kohë të gjatë e konsiderojnë korrupsionin si problemin kryesor në Serbi, ose si njërin nga dy problemet më të mëdha. Korrupsionin e konsiderojnë edhe shkaktar pse ata sot nuk jetojnë më mirë. Kjo është ajo që i ka dhënë shtytje popullaritetit të tij dhe më pas ka vazhduar edhe gjatë bisedimeve me Prishtinën, si dhe përgjatë integrimeve evropiane. Do të thotë, atë thjesht e perceptojnë si njeriun kyç në Qeveri dhe i cili po krijon suksese”, shprehet Bllagojeviq.

Boshko Jakshiq, publicist, vlerëson se Vuçiq, për një kohë çuditërisht të shkurtër, vetëm një vit, ka arritur të imponohet si një arbitër i padiskutueshëm i politikës serbe.

”Është interesante kur shikohet ajo që flet Vuçiq, por edhe gjuha e trupit të tij tregon se ai ka punuar seriozisht me veten, në mënyrë që të ndahet nga imazhi i një radikali shpërthyes, i cili në bulevardin ‘Zoran Gjingjiq’, vendos pano me figurën e Ratko Mlladiqit. Se sa ai reflekton bindshëm, tregon popullariteti i tij, si politikani me popullaritetin me bindës në Serbi, natyrisht me një rezervë, sepse serbët gjithmonë kanë dëshirë që ta admirojnë pushtetin”, thekson Jakshiq.

Por, kur bëhet fjalë për atë se mjaft njerëz vlerësojnë që Aleksandër Vuçiq “është më i popullarizuar se Sllobodan Milosheviqi”, vetë Vuçiq thekson se një popullaritet i tillë e frikëson.

“Të mos them se po dridhem prej frikës për shkak të një fakti të tillë, por çdo natë dhe çdo ditë mendohem se çfarë është ajo që mund të bëjmë për vendin”, ka thënë Vuçiq në një intervistë televizive.

Përderisa Vuçiqin e frikëson popullariteti i madh, në anën tjetër dëgjohen paralajmërimet se në duart e tij ai ka shumëçka. Disa komentues vlerësojnë se Vuçiq po lëviz gjurmëve të Tadiqit - me një popullaritet të madh dhe me një përqendrim edhe më të madh të pushtetit.

Mbase për shkak të kritikave apo pse nuk i arrin të gjithat, rikonstruktimin e kuadrit të partisë së tij, në pushtet e ka filluar nga vetvetja, duke hequr dorë nga posti i Ministrit të Mbrojtjes.

Përveç resorit prej nga ka hequr dorë, Vuçiqi është ende zëvendëskryeministër i parë, koordinator i shërbimit të sigurisë, si dhe është përgjegjës për luftën kundër korrupsionit. Nuk duhet harruar se ai është edhe kryetar i partisë më të fuqishme aktualisht.

Vesna Rakiq - Vodineliq, profesoreshë e drejtësisë, thotë se Vuçiqi ka tepër shumë kompetenca, madje edhe të tilla, të cilat nuk ka arritur përmes zgjedhjeve.

“Duke iu falënderuar faktit se ai është në partinë, ish-kryetari i së cilës, Tomislav Nikoliq është bërë kryetar i Republikës dhe që i bashkon në vete një numër të funksioneve, qoftë formale qoftë joformale, e në mes tyre edhe një mjaft të rëndësishëm – kontrollin mbi shërbimet e sigurisë”.

“Ai ka arritur një karizmë të konsiderueshme, para së gjithash me faktin që veten e ka lansuar si një luftëtar kundër korrupsionit dhe kjo është diçka ndaj së cilës shumica e qytetarëve janë të ndjeshëm. Besoj se fuqia politike, që e ka duke iu falënderuar funksioneve të shumta dhe karizmës së luftëtarit kundër korrupsionit, ai është shumë i popullarizuar”, thekson Rakiq Vidoneliq duke shtuar:

“Natyrisht, për mua kjo gjithmonë paraqet rrezikun potencial nga autokracia, sepse nëse i merrni autorizimet, të cilat në raste tjera nuk do të mundni, të cilat nuk i keni në formacionin në të cilin gjendeni, ju me këtë keni më shumë kontroll mbi shoqërinë dhe mbi elitën politike”.

Lufta kundër korrupsionit dhe arrestimi i të ashtuquajturit “i paprekshmi’ - biznesmenit Miroslav Mishkoviq, e ka forcuar në Vuçiqin në vend, ndërkaq që në perëndim ka arritur kredibilitetin duke treguar gatishmërinë për bashkëpunim, para së gjithash, për zgjidhjen e problemit me Kosovën si dhe angazhimi për t’u ofruar vendeve të BE-së.

Ai ka arritur të përfitojë edhe një pjesë të intelektualëve, të cilët më herët i kanë mbështetur demokratët, ndonëse disa prej tyre edhe sot do ta kritikonin.

Megjithatë, Boshko Jakshiq vlerëson se një pozicion i tillë bart më vete edhe një dozë të rrezikut.

”Vetëbesimi i tepër do të mund të ishte i dëmshëm jo vetëm për zëvendës-kryeministrin e parë, por edhe për të gjithë ne. Nëse mashtrohet me pushtet, gjë që është dukuri e shpeshtë në sferën e pushtetit, nëse ndihet shumë i fuqishëm, nëse harron se pushtetin e tij e ka si pasojë nga një situatë krize dhe se ndaj kësaj situate të krizës duhet të përgjigjet me rezultate, atëherë do ta sjellë vetveten në situatën që në njëfarë mënyre ka qenë edhe Boris Tadiq".

"Kjo nënkupton, të harrojë se çfarë duhet të bëj, të bëhet viktimë e asaj që në politikë quhet ‘efekti helium’ ose një rrezik tjetër, që në bazë të pushtetit dhe popullaritetit të ndihet aq i fuqishëm sa të fillojë që në atë mënyrë ta udhëheqë politikën”
, përfundon Jakshiq.(b.bislimi)
XS
SM
MD
LG