Ndërlidhjet

Reklamat e bankave, tërheqëse apo mashtruese?


Ilustrim

Ilustrim

Bankat komerciale që operojnë në vend, përmes reklamave të ndryshme në media të shkruara dhe elektronike, si dhe panove reklamuese, paraqesin oferta të ndryshme dhe tërheqëse për produktet e tyre, madje thuhet se ofrojnë norma të volitshme të interesit.

Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se klientët nuk duhet të ndikohen nga marketingu i tyre, sepse kamatat e kredive vazhdojnë të mbesin të larta, deri në 14 për qind.

Bankat ofrojnë kredi të ndryshme duke filluar nga ato familjare, kredi biznesi, blerje të shtëpive apo edhe për bujqësi. Normat e interesit, ndërkaq, dallojnë varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, shpreh dyshimin se reklamat mund të jenë mashtruese. Ai vlerëson se kjo është përgjegjësi e institucioneve që bëjnë mbikëqyrjen e tregut financiar, që të kontrollojnë nëse reklamat e bankave komerciale janë në harmoni me ofertat reale, të cilat ato i ofrojnë në tregun bankar në vend.

“Kemi pasur oferta edhe mashtruese në Kosovë, ku një nga bankat e caktuara ka thënë se japim kredi me kamatë shumë të ulët deri në 4 mijë euro. Ndërsa, kur kanë shkuar klientët nëpër banka, aty kanë vërejtur se ato kredi kanë qenë vetëm për punëtorët e sektorit publik”.

“Kjo ndodh për arsye se tregu në Kosovë është i ngopur me kredi dhe tashmë hapësira për kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve, është relativisht e ngushtë, sepse në vend ekzistojnë rreth 400 mijë kredi, që nënkupton se më tepër se numri i ekonomive familjare ne kemi kredi”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Nga marketingu që bëjnë institucionet financiare, mund të ndikohen vetëm klientët, të cilët kanë nevojë shumë të madhe për kredi thotë, Muhamet Sadiku, profesor në Kolegjin “RIINVEST” .

Muhamet Sadiku

Muhamet Sadiku

“Nga këto reklama mund të ndikohen vetëm ‘hallexhinjtë’ mund të ndikohen vetëm bizneset, të cilat janë vërtet në një situatë të vështirë, sa i përket likuiditetit të tyre. Por, ajo që dihet është se normat e kamatave të kredisë në Kosovë janë dyfish më të larta se në vendet me treg financiar të zhvilluar dhe dukshëm është më e lartë se sa në vendet e rajonit”.

“Në një situatë të tillë, kur mungojnë edhe instrumentet tjera financiare alternative, të gjitha bizneset dhe popullata janë të detyruara të shërbehen me kredi të shtrenjta, ndërsa me këtë situatë, bankat janë akomoduar”, konsideron Sadiku.

Normat e larta të interesit për marrjen e kredive kanë bërë që të bjerë numri i kërkuesve për kredi, kështu që bankat detyrohen që në forma të ndryshme të paraqesin oferta tërheqëse, thotë eksperti tjetër i ekonomisë, Ismail Kastrati. Ai, ndërkaq, thotë se bankat duhet të jenë reale karshi klientëve të tyre.

“Sigurisht që klientët ndikohen nga reklamat, në fund të fundit ata ndikohen edhe nga vetë nevoja që të ata të zgjedhin problemet e ditës dhe të familjes. Por, me siguri shumë nga ta, do ta kenë vështirë t’i kthejnë kreditë, pastaj shkalla e kredive të këqija ka mundësi që të rritet. Prandaj, është mirë që bankat të paraqiten korrekte ndaj klientëve të tyre, jo reklama tërheqëse, por reale”, vlerëson Kastrati.

Sidoqoftë, sipas hulumtimeve të Institutit për Studime të Avancuara “ GAP” kamatat e kredisë sillen nga 9 deri në 19 për qind. Berat Thaçi nga ky institut thotë se kamatat më të larta mbesin ato për biznese dhe bujqësi.

“Normat dallojnë varësisht nga lloji i kredisë, por kemi parë se kreditë personale, norma nominale e interesit është 11.9 për qind, kreditë për shtëpi 9.9 për qind, kreditë për vetura 9.8 %, kurse për biznese 13.2 %”, tregon Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, shprehin dyshimin se ekzistojnë marrëveshje të pashkruara ndërmjet bankave që të mbajnë kamatat e larta të kredive.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG