Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushtet - opozitë, bashkë për emrin


Shkup...
Shkup...
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është takuar në Tetovë kryetarin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev, me të cilin ka biseduar për bllokimin e procesit të integrimit evropian për shkak të mos zgjidhjes së kontestit me Greqinë për çështjen e emrit.

Ahmeti dhe Zaev kanë thënë se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër, pos inkuadrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa kryetari i BDI-së ka folur edhe për nismat e tij diplomatike për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“E njoftova Zaevin edhe me strategjinë e BDI së, se përse krejt këto angazhime i bën pikërisht me rastin e 100-vjetorit të Luftërave Ballkanike, kjo pasi popujt e Ballkanit perëndimor duhet të hyjnë në një proces të pajtimit të tërësishëm dhe për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët, e cila është në NATO dhe në BE”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka theksuar se retorikat nacionale mund vetëm ta largojnë Maqedoninë nga bashkëjetesa dhe integrimet euroatlantike.

“LSDM është e përgatitur për një konsensus të vërtetë për zgjidhjes e çështjes së emrit, por në kuadër të debateve politike dhe jo me mbështetjen e politikave të Gruevskit. Ne absolutisht jemi të bindur se plan B për Maqedoninë nuk ka, anëtarësimi ynë në NATO dhe BE është prioritet i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë ", ka deklaruar Zoran Zaev.

Ndërkohë, analistët kanë thënë se pushteti dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për çështjet kryesore, në veçanti për zgjidhjen e çështjes së emrit që ka bllokuar procesin integrues të Maqedonisë.

Por, analisti Albert Musliu thotë se takimi Ahmeti-Zaev është në drejtim të zgjerimit së frontit të partive që kërkojnë përshpejtimin e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë.

“Këtë e shoh si formim të një fronti pak më të gjerë për sensibilizimin e nevojës imediate për trajtimin më serioz të kësaj çështjeje. Kjo është edhe pjesë kryesore e platformë kryesore e njërit nga partnerët e koalicionit qeveritar. Në fakt, është e dy partnerëve të koalicionit, por BDI-ja në këtë fazë mendoj se tenton të distancojë vetveten apo të shmangë përgjegjësinë nga ngecja e procesit integrues dhe të promovojë qëndrimin e saj se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër dhe se tani është momenti për zgjidhje”, vlerëson Musliu.

Nga ana tjetër, analisti Sasho Dujoski thotë se partitë duhet të jetë të sinqerta para së gjithash për çështjen e emrit, meqë nëse vazhdohet me tendencën për të përfituar politikisht nga kjo çështje, zgjidhja vështirë se do të arrihet, ndërsa palët do të vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën dhe nga kjo do të pësojnë qytetarët, ata që më së shumti dëshirojnë integrimin e vendit në NATO dhe BE.

“Pushteti dhe opozita në periudhën e ardhshme duhet shumë seriozisht të bisedojnë për zgjidhjet kreative. Pres që Zaevi të jetë më i hapur për bashkëpunim me pushtetin sesa lideri paraprak i LSDM-së. Më parë bashkëpunimi mungonte dhe për të gjitha çështjet e hapura në shtet kishin mendime të kundërta”, thotë Nikolla Dujoski.

Ndërkohë, Albert Musliu thotë se Maqedonia deri më tani nuk ka dërguar sinjale pozitive para faktorit ndërkombëtar se është e përkushtuar për të ardhmen e saj evropiane dhe kjo ka bërë që ajo në vazhdimësi të marrë reagime të shumta, përfshirë edhe ato të mungesës së dialogut mes pushtetit dhe opozitës, pa të cilin vështirë se mund të zgjidhen çështjet e hapura.

“Nëse Maqedonia dëshiron të zhvillohet, nëse dëshiron të mbijetojë në skenën ndërkombëtare si shtet sovran, duhet të tregojë kapacitetet e saj se ka mundësi dhe kapacitet të debatojë edhe për çështje shumë të ndjeshme, siç është çështja e emrit. Së dyti edhe subjektet dhe elitat politike duhet që këtë temë të mos e përdorin për politikë ditore, por duhet të ketë një qasje më serioze me qëllim që shoqëria të sensibilizohet dhe të arrijë në përfundimin se kjo çështje duhet patjetër të zgjidhet”, shprehet Musliu.

Ndryshe, takimi mes Ahmetit dhe Zaevit vjen disa ditë pasi lideri i BDI-së i nisi mbi 35 letra të njohura ndërkombëtare që kanë kontribuar në Maqedoni dhe në rajon pas vitit 2001, me kërkesën për ndërhyrjen e tyre në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë.

Duke vlerësuar kontributin e tyre të madh për arritjen e paqes, stabilitetit dhe të marrëdhënieve stabile ndëretnike, Ahmeti në letër kishte shkruar se “këto arritje mund të rrezikohen nga kontesti i pazgjidhur që po e mban Maqedoninë larg kurorëzimit të të gjitha investimeve me qëllimin përfundimtar, anëtarësim në NATO dhe BE”.

Por, një ditë më parë kryeministri Nikolla Gruevski në manifestimet kushtuar 2 Gushtit tha se çështja nuk do të mund të zgjidhet pa VMRO-DPMNE-në dhe çdo përpje,kje për anashkalimin e saj do të përballet me reagime të fuqishme nga ata që i kanë dhënë legjitimitetin partisë së tij për të udhëhequr me vendin.

Në fillim të zgjedhjeve për kryetar të LSDM-së, Gruevski kishte pritur në një takim Zoran Zaevin, që ishte vlerësuar vetëm si takim kurtuazie.
XS
SM
MD
LG