Ndërlidhjet

Edhe pse orari i punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës fillon në orën 7 dhe mbaron në orën 15, përpos kujdestarive, ky orar nuk respektohet.

Këtë e thotë edhe vetë drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, duke shtuar se së shpejti do të krijohet një Komision mbikëqyrës i brendshëm, që do të monitorojë mjekët.

“Orari i punës është prej orës 7 deri në orën 15. Komision duhet të jetë vetja e tyre, dhe menaxheri i tyre, por ne e kemi parë që ajo nuk po funksionon dhe jemi në përpjekje e sipër për ta formuar një Komision të kontrollit të brendshëm dhe mendoj që në ditët në vijim do të funksionalizohet. Kemi pasur problem t’ua gjejmë zyrat kompjuterët. Po ashtu, do të bëhet edhe udhëzimi administrativ që të mund të funksionalizohet. Besoj që ky komision do të luajë rol pozitiv”, thotë Gashi.

Ai thekson se jo të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare nuk e respektojnë orarin, derisa shton se ankesa nga ana e pacientëve për këtë çështje nuk kanë pranuar asnjëherë.

“Jemi në dijeni që në disa klinika nuk respektohet orari, jo në të gjitha.
Shumë pak kemi ankesa nga palët. Pacientët kanë qasje, derën e kanë të hapur, por e kanë edhe kutinë e ankesave, ku mund t’i vendosin letrat me ankesën e tyre. Por, janë shumë të pakta”,
shpjegon Gashi.

Ndërkaq, Sindikalistët e Shëndetësisë thonë se në disa klinika me kontratë kolektive, orari është më i shkurtër, por që sipas tyre kjo keqpërdoret edhe nga klinikat tjera.

Xhemajl Selmani, drejtues i kësaj sindikate, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se do të formohen ekipe të përbashkëta për ta vlerësuar situatën brenda institucioneve shëndetësore sa i përket orarit të punës.

“Në qershor të këtij viti është lëshuar një qarkore nga ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, që i obligon të gjitha qendrat spitalore në Kosovë, por edhe QKUK-në që të formojnë ekipe të përbashkëta me organizatën sindikale dhe të vlerësohen grupet punuese ku do të vlerësohet edhe performanca edhe rrezikshmëria në punë dhe të fillojë kërkesa edhe për respektimin e orarit të punës”, shprehet Selmani.

E, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se institucionet shëndetësore janë të obliguara që ta respektojnë orarin e punës në plotësi ashtu siç është e përcaktuar në Ligjin e punës.

Avdullah Klinaku, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se çdo shkelje dhe çdo dalje pa leje nga menaxhmenti duhet të sanksionohet me ligj, ndërsa shton se deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Sa i përket Inspektoratit të Shëndetësisë, ai reagon atëherë kur në mungesë të profesionistëve shëndetësorë, kemi ankesë prej qytetarëve për trajtim joadekuat apo marrje joadekuate të shërbimeve shëndetësore”.

“Në QKUK nuk kemi evidentuar shkelje të tilla. Sa i përket ankesave të qytetarëve, nuk kemi konstatim të mosrespektimit të orarit nga ana e mjekëve, derisa iu bëjmë thirrje qytetarëve që nëse hasin në diçka të tillë ta paraqesin rastin dhe të evidentohen shkeljet e tilla të orarit të punës”,
thekson Klinaku.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG