Ndërlidhjet

Egjipt: Pas takimit me Burnsin, islamistët nuk ndryshojnë


 Zëvendës presidenti i Egjiptit Mohamed ElBaradei (djathtas) gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan William Burns në Kajro më 3 Gusht

Zëvendës presidenti i Egjiptit Mohamed ElBaradei (djathtas) gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan William Burns në Kajro më 3 Gusht

Mbështetësit e presidentit të përmbysur të Egjiptit, Muhammad Morsi, kanë thënë sot herët në mëngjes, se do të vazhdojnë të këmbëngulin në rikthimin e tij në presidencë.

Kjo deklaratë e tyre tregon se islamistët egjiptianë nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre pas bisedave të djeshme me zëvendës sekretarin amerikan të shtetit, William Burns.

Kjo vizitë u bë pasi në Kajro qëndruan përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, dhe ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Të gjitha këto vizita janë bërë në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare, që mbështetësit e Morsit dhe qeveria e përkohshme e instaluar nga ushtria, të arrijnë kompromis.

Por Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë, krah politik i Vëllazërisë Myslimane të Muhammad Morsit, ka thënë sot në mëngjes, nëpërmjet një kumtese, se është e përkushtuar për “legjitimitet, që përcakton kthimin e presidentit, të Kushtetutës” dhe të Dhomës së Epërme të Parlamentit të Egjiptit.

Ushtria e Egjiptit e ka përmbysur Morsin nga posti i presidentit më 3 Korrik.
XS
SM
MD
LG