Ndërlidhjet

KOSID: Çmimi i energjisë do të rritet


Ilustrim
Ilustrim
Viteve të fundit në Kosovë, çmimi i energjisë elektrike është rritur disa herë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar faturat e energjisë të qytetarëve të Kosovës janë rritur për 8.9 për qind. Kështu vlerësuan të dielën përfaqësuesit Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, të cilët publikuan edhe një analizë, ku veç tjerash thuhet se çmimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë të rriten edhe gjatë viteve në vijim.

“Në vitin 2011, çmimi mesatar i energjisë elektrike në Kosovë, pa taksa, sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ishte 5.78 euro/cent për KWh. Krahasuar me vendet tjera të rajonit Kosova paguan më shumë KWh sesa Maqedonia dhe Serbia, më pas së Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi”, tha Kushtrim Puka, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Në konferencën me gazetarë, përfaqësuesit e këtij konsorciumi thanë se Qeveria ka aluduar se çmimet në Kosovë janë shumë të ulëta dhe se rritjen e tyre nuk mund ta ndalin.

KOSID konsideron se është obligim i institucioneve të vendit që përmes politikave publike, t’ua mundësojë qytetarëve të kenë qasje në energji elektrike dhe të mund ta paguajnë atë.

Në analizë thuhet, po ashtu, se teknologjia e vjetër e gjenerimit përmes së cilës prodhohet 98 për qind e energjisë elektrike në Kosovë, bën që në koston e prodhimit të mos llogaritet zhvlerësimi i aseteve.

Në vitet e ardhshme, KOSID parashikon se çmimi i energjisë elektrike do të rritet edhe më shumë.

Visar Azemi nga KOSID, tha se nga kalkulimet, që janë bërë, del se në vitin 2016 faturat e energjisë elektrike do të jenë shumëfish më të larta se faturat e vitit 2011.

“Me ndaljen e subvencionimeve, ato para që dikur i ka marrë Korporata Elektro - Energjetike e Kosovës për import ose për kapacitetet operacionale për të prodhuar rrymë, ato (para që nuk do t’i ketë) duhet të vijnë dikah tjetër ose do të ngelim në terr. Kështu që kjo është ajo që ne e ngremë si çështje, gjë që duhet ta dinë qytetarët e Kosovës, se rritja do të ndodhë ndoshta jo në këtë vit, por nga viti 2014 e tutje çmimi i energjisë do të rritet”, theksoi Azemi.

Një parashikim tjetër në analizë është se pos reflektimit të kostos së përgjithshme të prodhimit, çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet edhe më shumë si rrjedhojë e liberalizimit të tregut, obligim ky që del nga Traktati i Komuniteti të Energjisë, të cilin Kosova e ka nënshkruar në vitin 2005.

KOSID përkrah fuqishëm tregun e lirë në sektorin e energjisë, meqë në shumicën e vendeve, liberalizimi i tregut lejon që çmimi i energjisë të përcaktohet nga relacioni mes kërkesës dhe ofertës.

Konsorciumi përmes analizës kritikoi Qeverinë, duke thënë se ajo nuk ka përgatitur terren për një konkurrencë të mirëfilltë në sektorin e energjisë.

Sido që të jetë, çmimet e energjisë elektrike në Kosovë sillen nga 2.54 centë deri në 10.16 centë për një kilovat në orë.

Zyrtarët e Zyrës së Rregullatorit për Energji deklaruan se çmimet janë të ndara në tri blloqe tarifore, në tarifë të ulët dhe të lartë, si dhe ndryshimi i çmimeve gjatë sezonit të dimrit që është më i lartë dhe sezonit veror kur çmimet janë më të ulëta.
XS
SM
MD
LG